Apeli e kthen në rigjykim rastin ku e akuzuara ishte dënuar me 18 vite burgim për vrasjen e ish të dashurit në Ferizaj

  • G.G /
  • 09 July 2021 - 11:31
Apeli e kthen në rigjykim rastin ku e akuzuara ishte dënuar me 18 vite burgim për vrasjen e ish të dashurit në Ferizaj

Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ku Mimoza Pajaziti ishte dënuar me 18 vite burgim nga shkalla e parë, pasi ishte shpallur fajtore për vrasjen e ish të dashurit Avdil Kqiku, në vitin 2018 në Ferizaj.

Gjykata Themelore në Ferizaj, më 25 shkurt 2021, e kishte dënuar Pajazitin me 17 vite burgim për vrasje të rëndë, kurse me 2 vite burgim për armëmbajtje pa leje. Më pas, ndaj saj ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 18 vite burgim.

Mirëpo, një dënim i tillë ishte konsideruar shumë i ulët dhe jo në proporcion me veprën penale nga Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe pala e dëmtuar, për çka kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Nga kjo e fundit ishte kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe ndaj të akuzuarës të shqiptohet dënim më i ashpër.

Me aktgjykimin e shkallës së parë nuk ishte pajtuar as e akuzuara, e cila kishte ushtruar ankesë në Apel përmes mbrojtësit të saj, avokatit Sevdai Robeli. Ajo ka kërkuar nga shkalla e dytë që të shpallet e pafajshme apo rasti të kthehet në rigjykim.

Mirëpo, Gjykata e Apelit ka vendosur që këtë rast ta kthejë në rigjykim.

Në vendim të Apelit thuhet se pasi kolegji shqyrtoi shkresat e lëndës, vlerësoi aktgjykimin e ankimuar dhe pretendimet ankimore të palëve, ka gjetur se ankesa e mbrojtjes është e bazuar. Kurse, ky kolegj ka gjetur se ankesa e Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe ankesa e përfaqësuesit të palëve të dëmtuara tani për tani janë jo lëndore.

Sipas Apelit, pretendimet ankimore të mbrojtësit të akuzuarës lidhur me shkeljen esenciale të dispozitave të procedurës penale janë të bazuara.

“Sipas kësaj gjykate nga shkresat e lëndës dhe aktgjykimi i ankimuar i gjykatës së shkallës së parë, Gjykata e Apelit të Kosovës konstaton se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur ta vërtetoj saktë prezencën e të akuzuarës Mimoza Pajaziti në vendin e ngjarjes kritike”, thuhet në vendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, thuhet se nga provat e siguruara nga zyrtarët e Policisë së Kosovës, vërtetohet se në vendin e ngjarjes, respektivisht në veturën ku është kryer vrasja është gjetur një revole, karikatori i saj jashtë veturës dhe një gëzhojë.

“Mirëpo, nga ekspertimi daktiloskopik i këtyre provave nuk janë gjetur gjurmë të gishtërinjve të akuzuarës dhe se nga kjo gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të vërtetoj se e njëjta a e ka përdorur këtë armë dhe ka kryer veprën penale që vihet në barrë. Gjithashtu, nga shkresat e lëndës shihet se edhe fijet e flokëve të gjetura në veturën në të cilën është kryer vepra penale pas ekspertizës së kryer është konstatuar se të njëjtat nuk i takojnë të akuzuarës Mimoza Pajaziti dhe se ato janë të dy personave të tjerë të panjohur, ndërsa Mimoza është përjashtuar si kontribuuese e ADN-së në këto prova”, thuhet tutje në vendim.

Në vendim të Apelit thuhet se shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë kushtëzuar anulimin e aktgjykimit dhe mangësitë e tjera në drejtim të vërtetimit të drejtë dhe në mënyrë të plotë të fakteve me rëndësi në këtë çështje juridiko-penale, e vënë në mëdyshje aktgjykimin e ankimuar edhe përkitazi me vërtetimin e drejtë dhe të plotë të gjendjes faktike dhe aplikimin e drejtë të ligjit penal, siç pretendohet në ankesën e mbrojtësit e të akuzuarës Mimoza Pajaziti.

Prandaj, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë në rigjykim duhet të eliminoj kundërthëniet dhe shkeljet e pretenduara në ankesën e mbrojtësit të akuzuarës, t’i administroj edhe njëherë provat, përkatësisht t’i shikoj videot e nxjerra nga kamerat e sigurisë nga pompa e benzinës në fshatin Balaj.

“Të vërtetoj se përveç të ndjerit a shihet duke lëvizur në atë pjesë e akuzuara ngase e njëjta ka mohuar të ketë qenë në atë pjesë”, thuhet në vendim, ku gjithashtu është rekomanduar që të dëgjohet edhe eksperti mjeko-ligjor. Në vendim thuhet se Apeli nuk vlerësoi ankesën e prokurorisë e përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, ngase të njëjtat kanë pasur të bëjnë vetëm me vendimin mbi dënimin.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 maj 2020, nga prokurorja Sebahate Sinani, Mimoza Pajaziti akuzohet se më 31 gusht 2018, në Ferizaj, përkatësisht në afërsi të restorantit “Ujëvara“, me dashje dhe në mënyrë dinake ka privuar nga jeta tani të ndjerin Avdil Kqiku.

Në aktin akuzues thuhet se e pandehura, duke shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tani të ndjerit, meqenëse të njëjtit janë njohur dhe kanë qenë në lidhje dashurie më parë, me përgatitje paraprake, fillimisht vihet ne kontakt me të ndjerin përmes telefonit, pastaj kërkon nga i njëjti që të takohen, duke mos i dhënë ndonjë arsye konkrete.

Sipas aktit akuzues, ditën kritike, në kohën dhe vendin e lartshënuar, e lë takimin me të, e më pas me tu takuar me veturën e tij të markës “Land Rover” futen në një rrugë qorre dhe derisa gjenden brenda veturës e qëllon dy herë me armë zjarri të markës “Crevna Zastava M57”, një herë në shuplakë të dorës së djathtë dhe një herë në nofullën e djathtë, duke i shkaktuar kështu plagë vdekjeprurëse.

 Ndërsa, thuhet se menjëherë pas kryerjes së veprës penale e njëjta largohet nga vendi i ngjarjes dhe arratiset për në shtetin e Gjermanisë, me ç’rast pas vërtetimit të vendndodhjes së saj, ajo arrestohet nga autoritetet gjermane dhe më 18 dhjetor 2019 ekstradohet në Republikën e Kosovës.

Gjithashtu sipas aktakuzës, Pajaziti akuzohet se në ditën kritike, pa autorizim dhe leje përkatëse, ka poseduar armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët dhe atë një armë zjarri të tipit pistoletë “Crevna Zastava M57” me kalibër 7.66 mm, si dhe një karikator me 5 copë fishekë të kalibrit 7.62mm, të cilat ditën kritike gjenden dhe sekuestrohen nga ulësja e parë e veturës së të ndjerit Avdil Kqiku.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarën me veprën penale të vrasjes së rëndë, nga neni 179 i KPRK–së, si dhe veprën penale të armëmbajtjes pa leje, nga neni 374 i KPRK–së.

(Kosova Sot Online)