Kërkohet paraburgim ndaj zyrtarit që dyshohet se bëri 623 shkelje ligjore

  • G.G /
  • 09 July 2021 - 15:23
Kërkohet paraburgim ndaj zyrtarit që dyshohet se bëri 623 shkelje ligjore

Kërkohet paraburgim ndaj një personi të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se, në periudhën kohore në mes viteve 2018-2020, në Malishevë, pikërisht në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare, me qëllim të përfitimit për vete ose personin tjetër, dhe duke i shkaktuar dëm personit tjetër.

“Gjatë kësaj periudhe kohore te lartcekur, janë hasur parregullsi dhe shkelje ligjore në gjithsejte 623 raste të regjistruara, me ç ‘rast , buxhetit të Kuvendit Komunal të Malishevës i ka shkaktuar dëm material me shumën rreth 6000 (gjashtëmijë) euro. Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale” Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. Po ashtu, me datë, kohë e vend të njëjtë, i dyshuari B.G., për të përfituar për vete, përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal me qëllim të shfrytëzimit të tij. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 300 paragrafi 1 i KPRK-së. I pandehuri me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga data 08 korrik 2021”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë së Gjakovës.

(Kosova Sot Online)