Nënkryetarin e Bujanocit e ftojnë MBP’ja serbe për çështjen e ri-vendosjes së flamurit kombëtar

  • A.P /
  • 09 July 2021 - 23:00
Nënkryetarin e Bujanocit e ftojnë MBP’ja serbe për çështjen e ri-vendosjes së flamurit kombëtar

Nënkryetari i Komunës së Bujanocit, Shqiprim Musliu është ftuar nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, të paraqitet në policinë e kësaj komune.

Një gjë të tillë e ka bërë me dije vetë Musliu, derisa ka bërë me dije se arsyeja e ftesës ishte ri-vendosja e flamurit kombëtar tek varri i dëshmorit Fatmir Ibishi.

“Kjo ftesë ndërlidhet me provokimin që na është bërë në Konçul të Bujanocit, ku tek varri i dëshmorit të kombit Fatmir Ibishi, ishte vendosur një flamur i Serbisë dhe ishte hequr flamuri kombëtar”, ka shkruar ai në Facebook.

Flamuri serb ishte vendosur nga persona të paidentifikuar në fshatin Konçul të Komunës së Bujanocit, në afërsi të përmendores së dëshmorit të UÇPMB-së, Fatmir Ibishi, përmendorja e së cilit edhe ishte dëmtuar.

Kësisoj zëvendëskryetari i Bujanocit, Shqiprim Musliu e ka larguar flamurin serb nga aty dhe ka vendosur flamurin shqiptar

Postimi i plotë i tij:

Të nderuar qytetarë të Bujanocit

Më lejoni t’iu njoftoj se sot kam marrë një ftesë nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, që të paraqitem më datën 12 korrik 2021 në organet e policisë në Bujanoc.

Kjo ftesë ndërlidhet me provokimin që na është bërë në Konçul të Bujanocit, ku tek varri i dëshmorit të kombit Fatmir Ibishi, ishte vendosur një flamur i Serbisë dhe ishte hequr flamuri kombëtar.

Unë, si nënkryetar i komunës, do të paraqitem sipas ftesës zyrtare në institucionin ku më është bërë thirrja dhe do të ripërsëris qëndrimin tim lidhur me këtë ngjarje.

Përsëris se vendosja e flamurit të Serbisë në atë lokacion paraqet një provokim për komunitetin dhe reagimi im ka qenë konform menaxhimit sa më të mirë dhe në qetësi të kësaj situate.

Simbolet kombëtare janë të shenjta dhe duke respektuar këto simbole ne forcojmë themelet dhe vlerat sublime të demokracisë. 

(Kosova Sot Online)