Deliu-Kodra: Diskursi i VV’së ndaj SHBA’së nuk është i rastësishëm

  • A.P /
  • 09 July 2021 - 23:40
Deliu-Kodra: Diskursi i VV’së ndaj SHBA’së nuk është i rastësishëm

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e ka cilësuar si “jo të rastësishëm” siç pretendon ajo, diskursin e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj SHBA’së.

Kjo deklaratë e Deliut, erdhi pasi deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, deklaroi se “janë sovran dhe vendimet i marrin nga bindjet e tyre”, duke iu referuar kritikës së ambasadës amerikane në Kosovë ndaj Qeverisë për mënyrën se si po shkarkohen bordet

“Më së paku, është e turpshme të flasësh kështu me SHBA’të, një vend që ka mbështetur luftën e Kosovës për liri, shpalljen e Pavarësisë dhe vazhdon ta mbështes konsolidimin e shtetit të Kosovës”, ka shkruar Deliu në Facebook.

Postimi i plotë i saj:

Diskursi konfliktuoz i Lëvizjes Vetëvendosje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është i paprecedentë.

Për më tepër ky diskurs është në kundërshtim të plotë me faktin e pamohueshëm se SHBA’të janë aleati strategjik i shtetit tonë.

Kundërshtimet e Vetëvendosjes nuk janë të rastësishme dhe as nuk vijnë nga zyrtarët e parëndësishëm të kësaj partie. Si deputete e Kuvendit të Kosovës, ndihem keq se si një koleg i yni i tregon SHBA’ve se çka është sovraniteti i shtetit të Kosovës. Më së paku, është e turpshme të flasësh kështu me SHBA’të, një vend që ka mbështetur luftën e Kosovës për liri, shpalljen e Pavarësisë dhe vazhdon ta mbështes konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Për fatin tonë të keq, ky fjalor ushqehet nga kryetari i saj Albin Kurti, i cili në shumë raste nuk ka hezituar të bëjë deklarime të rënda.

Vetëvendosje dhe kryetari i saj, duhet t’i thërrasin zërit të arsyes, e ta ruajnë si sytë e ballit miqësinë dhe partneritetin me SHBA’të

(Kosova Sot Online)