Palmer takohet me Dendias, në kohën kur flitet për lëvizje të pozicionit grek për Kosovën

  • G.G /
  • 10 July 2021 - 13:48
Palmer takohet me Dendias, në kohën kur flitet për lëvizje të pozicionit grek për Kosovën

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka takuar zëvendës-ndihmësin e sekretarit e shtetit Matthew Palmer, në kohën kur po flitet për një lëvizje të pozicionit grek drejt njohjes së Kosovës dhe pas deklaratës së vetë kryediplomatit grek se pavarësia e Kosovës është vulosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Dendias ka shkruar se BE dhe SHBA kanë koordinim të ngushtë për perspektivën evropiane të Ballkanit.

“Pata një takim me Zv. ndihmës i Sekretarit të Shtetit dhe Përfaqësuesi Special i SHBA-ve për Ballkanin Matthew Palmer në Forumin e sotëm të Dubrovnik. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë koordinim të ngushtë për të adresuar sfidat në rajon, në fokus perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimet në Mesdheun Lindor”, ka shkruar Dendias.

Derisa në mediat greke po raportohe për mundësinë që Greqia ta njohë Kosovën, duke përmendur hakmarrjen e mundshme të Serbisë për çështjen e Qipros si element që mund ta frikësojë Athinën.

“Zjarre” u ndezën pas një deklarate të paqartë të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, rreth Kosovës, i cili deklaroi se pozicioni i Greqisë për statusin e Kosovës nuk ka ndryshuar, por shtoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk e shkel ligjin ndërkombëtar.

“Ndonëse pozicioni ynë për statusin e Kosovës nuk ka ndryshuar, ne mbajmë qëndrim konstruktiv dhe e përkrahim dialogun Beograd – Prishtinë. Si legjitimitet i një njohjeje të mundshme, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë vlerësoi më 2010 nuk e shkel ligjin ndërkombëtar, sepse nuk ka qenë produkt i përdorimit të paligjshëm të forcës së dënuar nga Këshilli i Sigurimit, siç ishte rasti i një pseudo-shteti (të Qipros Veriore) më 1983”, ka deklaruar kryediplomati grek.

(Kosova Sot Online)