Vritet ariu i përhimë që e mbyti të moshuarën në ShBA

  • G.G /
  • 10 July 2021 - 14:13
Vritet ariu i përhimë që e mbyti të moshuarën në ShBA

Është vrarë nga autoritetet amerikane një ari i përhimë, i cili para pak ditëve nxori nga tenda një grua dhe e mbyti atë në Montana.

Leah Lokan, infermiere 65-vjeçare nga Kalifornia, ishte në një udhëtim me biçikleta në zonë malore bashkë me dy shoqe, kur ariu 180-kilogramësh e sulmoi kampin e tyre në orët e para të së martës.

Zyrtarët e kërkuan ariun tri ditë radhazi dhe vendosën kurthe me shpresë që do ta zinin më lehtë, shkruan BBC.

Stafi i pajisur me pajisje që e mundësojnë të pamurit natën e qëlluan ariun, kur ai iu afrua një kafazi me pula. Afër atij vendi ishte vendosur edhe një kurth.

Thuhej se viktima e ariut ishte entuziaste e çiklimit në distanca të mëdha.

Ariu fillimisht i ishte afruar kampit rreth orës 3 të mëngjesit, por më pas ishte larguar. Zonja Logan dhe shoqet e saj e kishin larguar ushqimin nga tenda dhe ishin kthyer për të fjetur, por ariu u kthye pak më vonë dhe e kreu sulmin fatal.

Zyrtarët thonë se janë të sigurt që ariu i vrarë është saktësisht kafsha që e mbyti gruan të martën. Ata do ta krahasojnë ADN-në e ariut me shenjat që janë marrë në skenën e sulmit për të vërtetuar se ato përputhen.

(Kosova Sot Online)