Kush është milioner e kush më i varfër nga kandidatët për kryetar të Prishtinës

  • G.G /
  • 12 July 2021 - 10:42
Kush është milioner e kush më i varfër nga kandidatët për kryetar të Prishtinës

Zgjedhjet lokale në Kosovë po trokasin dhe partitë politike tashmë kanë ndezur motorët duke dalë në terën.  Shumica prej tyre kanë publikuar edhe emrat e kandidatëve për kryetar të disa qyteteve.

Por vëmendjen më të madhe do ta ketë kryeqyteti.

Kandidatët zyrtarë  deri më tani janë nga PDK, AAK, AKR dhe LDK, VV ende nuk e ka zyrtarizuar emrin por deri më tani është përfolur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia

Media u sjell pasurin e këtyre kandidatëve për Prishtinën:

Arben Vitia ish ministri i Shëndetësisë është përmendur si kandidat i mundshëm i Lëvizjes Vetëvendosje për të udhëhequr me Prishtinën.

Ai mund të përballet me kandidatët e partive tjera në zgjedhjet lokale për kryeqytetin.

Duke qenë në pozitën e ministrit, Vitia ka deklaruar pasurinë e tij në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ai ka deklaruar se si pasuri të paluajtshme posedon shtëpi në vlerën 150 mijë euro dhe truall në vlerën 250 mijë euro. Vitia ka deklaruar edhe një veturë Mazda në vlerën 12 mijë euro dhe një Suzuki në vlerën 15 mijë euro në emër të bashkëshortes.

Mbi 9 mijë euro janë paratë e kursyera të tij dhe bashkëshortes, derisa paga e tij mujore ishte në vlerën 1.151 euro, paga e bashkëshortes së tij që punon në një spital privat 1.500 poashtu. Kështu në total pasuria e tij kap vlerën mbi 850 mijë euro.

Uran Ismaili është tjetri kandidat për komunën e Prishtinës. Ai është deputet i PDK-së, ndërsa ishte edhe ministër i Shëndetësisë. Tek AKK-ja ai ka deklaruar një banesë në vlerën 135 mijë euro dhe tokë në vlerën 20 mijë euro. Ai ka deklaruar poashtu se pronar dhe bashkëpronar në tri kompani të ndryshme që kapin vlerën mbi 13 mijë euro. Kursimet e tij kapin vlerën rreth 5 mijë euro. Rreth 90 mijë euro janë borxhet e tij në kredi për banesë, sic ka deklaruar Ismaili. Rreth 22 mijë euro janë të hyrat e tij vjetore, ndërsa paga mujore e bashkëshortes së tij është mbi 1.300 euro. Pasuria e tij në total kap vlerën mbi 200 mijë euro.

Edhe Daut Haradinaj i ka hyrë garës për Prishtinën në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor. Ai si deputet i Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerën 395 mijë euro, duke përfshirë dy shtëpi banimi. Ai ka deklaruar edhe një veturë 10 mijë euro dhe një tjetër për të cilën paguan 435 euro në muaj. Ndërsa gjësendet me vlerë dhe dhurata kapin vlerën 17,500 euro. Mbi 53 mijë euro janë paratë e tij të kursyera derisa ato të bashkëshortes mbi 6 mijë euro. Haradinaj ka deklaruar se ka marrë hua 30 mijë euro nga familja e bashkësortes për blerjen e shtëpisë. Paga e tij vjetore si deputet kap vlerën mbi 28 mijë euro, derisa dy pagat e bashkëshortes afër 20 mijë euro. Mbi 500 mijë euro është pasuria e tij në total e deklaruar në AKK.

Një tjetër kandidat do të jetë edhe ai nga AKR-ja, Selim Pacolli. Duke qenë si nënkryetar i komunës për të cilën synon të marrë kryesinë, Pacolli ka deklaruar se tek pasuria e paluajtshme posedon dy shtëpi, truall dhe rrugë private, të gjitha në vlerën 757,200 euro. Ai posedon edhe katër vetura luksoze të gjitha në vlerën 172 mijë euro. Ai është pronarë e bashkëpronarë në 13 kompani të ndryshme, ku vlera e të cilave arrinë shumën mbi 6 milionë e 200 mijë euro. Paratë e kursyera në bankë kapin vlerën rreth 50 mijë euro. 400 mijë euro janë borxhet e tij, si kredi për investime. Mbi 9 mijë euro është paga e tij vjetore në Komunën e Prishtinës, ndërsa paga e tij nga Zvicra është mbi 11 mijë euro. Ndërsa mbi 62 mijë euro janë të hyrat vjetore të bashkëshortes së tij. Pasuria e tij në total kap vlerën mbi 7 milionë e 350 mijë euro.

Tjetër kandidat për Prishtinë është edhe një arkitekt nga Prishtina, por që jeton në Londër, Përparim Rama.

Ai do t’i futet garës për Prishtinës nga radhët e LDK-së. Duke qenë se ai nuk ushtron ndonjë pozitë në Kosovë, ai nuk ka deklaruar pasurinë e tij.

(Kosova Sot Online)