Simmons thotë se kërkohej dënimi i ish-krerëve të UÇK-së: E kundërta konsiderohej dështim

  • G.G /
  • 12 korrik 2021 - 11:32
Simmons thotë se kërkohej dënimi i ish-krerëve të UÇK-së: E kundërta konsiderohej dështim

Ish-kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons ka thënë se ka pasur ndikime politika në rastin “Kleçka” ku ish-komandanti i UÇK-sëm Fatmir Limaj dhe nëntë ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së u akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës.

Ai ka cituar gjykatësin Charles Smith, që siç thotë Simmons, kishte thënë se duhet dënuar të akuzuarit.

“Shtetet anëtare të EULEX-it presin dënime”, e citoi Simmons gjykatësin Charles Smith.

Simmons tha se gjykatësi i këtij rasti e kishte emëruar veten si gjykatës të Apelit.

Simmons tha se ishte kërcënuar nga gjykatësi britanik, i cili sipas tij kishte kërkuar që të kishte dënime në këtë rast.

“Në katër raste të ndara, ka pasur pretendime se Charles Smith ka provuar të ndërhyjë në gjykime. Mund t’ju ofrojë dokumente për të gjitha katër rastet. Dhe nuk ishte vetëm gjyqtari Smith që donte të ndërhynte”, tha Simmons.

Ai tha se çdo aktgjykim që i shpallte të pafajshëm ish-pjesëtarët e UÇK-së shihej si dështim.

“Shfajësimi shihej si dështim”, theksoi Simmons.

Ai tha se në këtë rast kishte dëshmi të dobëta dhe hetimi në të ka kushtuar miliona euro.

“Kleçka ka qenë një rast që asnjëherë s’është dashur të shkojë në gjykim”, tha Simmons.

Në verën e 2012-ës, Fatmir Limaj dhe nëntë pjesëtarë të tjerë të UÇK-së u akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që siç supozohej të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999, deri në mesin e qershorit të atij viti, në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja, e që ndodhej në fshatin, Kleçkë.

E më 17 shtator 2013, procesi u shpall i përmbyllur me pafajësinë e të akuzuarve. Ishte hera e dytë që Fatmir Limaj u shpall i pafajshëm nën akuzat për krime lufte. Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant “Çeliku”, i cili në shkurt të vitit 2003, qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë, gjatë luftës së vitit 1998.

(Kosova Sot Online)