Koci komenton raportimin e Simmons: Është dashur të flasë me kohë

  • A.P /
  • 12 July 2021 - 18:06
Koci komenton raportimin e Simmons: Është dashur të flasë me kohë

Ish-kryetari i asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons, përmes një video-lidhje ka raportuar sot në Kuvendin e Kosovës në lidhje me skandalet e EULEX-it në Kosovë, përfshirë këtu ndërhyrjet politike, manipulimin e provave dhe ndikimet tek dëshmitarët.

Simmons gjatë raportimit para deputetëve të Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion, ka deklaruar se kishte direktiva që gjykatësit e këtij misioni t’i largonin nga skena politike disa politikanë që konsideroheshin si “peshqi të mëdhenj”, duke i dënuar.

Ndërsa, raportimin e Simmons e ka komentuar avokati, Arianit Koci në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin.

Koci është shprehur se Simmons është dashur që me kohë t’i thotë ato që i tha sot, e po ashtu për këtë çështje të vie në Kosovë e të mos flas përmes video-lidhjes.

Ai ka deklaruar se EULEX’i ka qenë shumë i mbyllur në këto aspekte dhe ka pasur imunitet, andaj edhe sipas tij, nuk kemi pasur kompetenca që ta hetojmë.

“Unë nuk mund dhe nuk dua të spekuloj. Nuk dua të them se ka qenë një target ndaj krerëve të UÇK’së. Ai është dashur me kohë t’i thotë këto. Edhe në atë kohë ka thonë kur e ka përfunduar mandatin. Por në çështje kaq serioze ai është dashur me ardh këtu e jo të flas përmes video-lidhjes. Ka qenë një situatë që ka krijuar në tërmet në shoqërinë tonë. EULEX’i në këtë aspekt është mjaft i mbyllur”, ka thënë ai.

Koci ka thënë tutje se EULEX’i ka pasur në përbërje njerëz të shteteve të ndryshme, hetues e prokuror të ndryshëm, edhe të shteteve që nuk e kanë pranuar Kosovën, andaj edhe sipas tij misione të tilla mund të kenë ndikime politike.

Megjithëse, për shkak të imunitetit, ai ka thënë se as ndaj prokurorëve e gjyqtarëve që kanë bërë gabime nuk kanë mundur të ndërmarrin ndonjë veprim.

“EULEX ka qenë mision për sundimin e ligjit. Këtu kanë ardh prej shteteve të ndryshme, pjesëtarë të ndryshëm, hetues e prokurorë të ndryshëm. Ka pasur edhe njerëz me agjenda, ata nuk e kanë pasur qasjen e njëjtë. Ne kemi pasur hetues që kanë qenë prej shteteve që nuk e kanë pranuar Kosovën. Misionet e tilla e kanë edhe një ombrellë politike. Çfarëdo gabimi që e ka bërë ose prokurori ose gjyqtari ka pasur imunitet, nuk ke pas çfarë me i bo”, ka thënë ai.

Përndryshe, Koci ka pasur kritika ndaj qasjes që ka pasur EULEX’it ndaj klientit të tij, kryetarit të degës së PDK’së në Skenderaj, Sami Lushtakut.

Ai ka thënë se bisedat mes tij dhe klientëve të tij gjithmonë kanë qenë të përgjuara.

“Mënyra se si është trajtuar Sami Lushtaku nuk më ka pëlqyer. Unë e kam pasur telefonin e përgjuar. Biseda mes avokatit dhe klientit është konfidenciale. Neve na kanë përgjuae telefonat, nuk na kanë lënë as me bo strategji. Ndërsa, edhe dëshmitarët kur janë marrë në pyetje kanë qenë dëshmitarë jo të besueshëm, jo kredibil”, ka thënë ai.

Koci ka folur edhe për Gjykatën Speciale.

Ai ka thënë se kjo Gjykatë është e kosovarëve, por që nuk ka kosovarë.

“Në aë kohë ishte edhe lufta për Specialen. Tani është gjykatë kosovare, nuk ka asnjë prokuror, gjyqtar, hetues kosovar. Tani ka filluar ironia tjetër as edhe avokat kosovar. Ka të bëjë me kosovarët pa kosovarët”, ka shtuar ai.


(Kosova Sot Online)