Dy raste të vdekjes brenda 24 orëve,dyshimet për helmime në Deçan

  • G.G /
  • 13 July 2021 - 10:38
Dy raste të vdekjes brenda 24 orëve,dyshimet për helmime në Deçan

Dy vdekje të dyshimta kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit në Deçan, shkaku i situatës së krijuar atje, ku po dyshohet se ka ndodhur një helmim masiv shkaku i ujit.

Këto dy raste të vdekjes i ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Nikçi ka deklaruar se prokurori ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre.

“Gjatë 24 orëve të fundit, kanë ndodhur dy vdekje të dyshimta në komunën e Deçanit. Për shkak të situatës se krijuar në atë rajon, Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, ka urdhëruar që trupat e pajetë të dërgohen për obdukim në IML për të kuptuar me shumë lidhur me rrethanat e vdekjes se tyre”, ka thënë Nikçi .

Ndryshe, të paktën 428 pacientë kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan me simptoma të helmimit.

Dyshimet zyrtare për shkakun e helmimit janë te një degë e furnizimit të ujësjellësit “Hidrodrini”.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHPK), ka bërë të ditur të hënën se nga gjashtë mostra të testuara të ujit, në dy prej tyre kanë gjetur koloni të dyshimta të baktereve.

Megjithatë, sipas drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, testimet duhet të vazhdohen të bëhen në laborator dhe shkaku i saktë i këtij helmimi nuk është përcaktuar ende.

Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan që nga dita e shtunë, ngrehu alarmin për numër të pazakontë të pacientëve, me simptoma të ngjashme.

Drejtori i kësaj qendre, Selmon Berisha tha për Radion Evropa e Lirë se pasi e kishin lajmëruar Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ata erdhën dhe morën mostrat e ujit për të bërë analizën kimike dhe biologjike.

“Analizat kimike ka rezultuar në rregull ndërsa analizat biologjike janë në përpunim e sipër. Po ashtu, gjatë gjithë kohës e kemi angazhuar laboratorin tonë dhe analizat e pacientëve rezultojnë që janë helmime bakteriologjike”, tha ai.

Deri sa rezultatet e analizave të fundit të këtij uji nuk kanë dalë ende, që nga e diela në mbrëmje, ujësjellësi rajonal “Hidrodrini” ka bërë ndërprerjen e furnizimit me ujë në zonat e dyshuara për helmim masiv.

Ujësjellësi “Hidrodrini” ka bërë apel për kujdes, por duke thënë se “deri në arritjen e rezultateve, nuk mund të konstatohet asgjë në zbardhjen e dyshimeve për ujë të helmuar ose jo”.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj në një konferencë për media tha se janë duke bërë përpjekje maksimale për gjetjen e shkaqeve të këtij helmimi dhe deri më tani të gjitha dyshimet janë vetëm hipoteza.

Sipas tij, kanë dyshime edhe për një skemë të qëllimshme. Ai nuk elaboroi për këtë, por tha se duhet t’i lihet organeve të hetuesisë.

(Kosova Sot Online)