Reuters: Ja pse BE-ja ende s’e ka miratuar vaksinën Sputnik V

  • G.G /
  • 13 July 2021 - 11:24
Reuters: Ja pse BE-ja ende s’e ka miratuar vaksinën Sputnik V

Zhvilluesit e vaksinës ruse kundër Covid-19, Sputnik V, vazhdimisht kanë dështuar që t’iu ofrojnë rregullatorëve të dhëna që vlerësohen si kërkesa standarde në procesin e miratimit të ilaçeve, i thanë agjencisë Reuters pesë persona me njohuri rreth përpjekjeve evropiane për vlerësimin e kësaj vaksine.

Reuters raportoi muajin e kaluar se vlerësimi i sigurisë dhe efikasitetit të vaksinës Sputnik V nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve ishte shtyrë për shkak të mosrespektimit të afatit të 10 qershorit për dorëzimin e të dhënave të testimit klinik të vaksinës, sipas njërit prej burimeve, i afërt me agjencinë evropiane.

Vështirësitë shkojnë përtej këtij afati, tha një person i afërt me Agjencinë Evropiane të Ilaçeve. Deri në fillim të qershorit, agjencia pothuajse nuk kishte pranuar asnjë të dhënë rreth prodhimit, ndërsa të dhënat klinike ishin të pakompletuara, tha burimi.

Në një rast tjetër, një vlerësim i vaksinës Sputnik V nga një delegacion i shkencëtarëve francezë zbuloi se zhvilluesit e vaksinës nuk ishin në gjendje që të dokumentojnë që themeli i zhvillimit të vaksinës përputhet me rregullat specifike të BE-së për parandalimin e infektimit me sëmundje.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve e nisi zyrtarisht në mars vlerësimin e vaksinës ruse dhe më parë pritej që të vendoste rreth saj në maj ose qershor, për ta lejuar apo për të mos e lejuar përdorimin e saj në BE.

Organi rus që merret me shitjen e vaksinës Sputnik V jashtë vendit ka thënë se ajo tashmë është regjistruar në mbi 60 shtete dhe se studimet nga disa shtete, përfshirë Argjentinën, Meksikën dhe Hungarinë, tregojnë se vaksina është e sigurt dhe efektive.

Një nga personat me njohuri rreth përpjekjeve evropiane për ta vlerësuar vaksinën ruse tha se ata nuk kanë arsye për të dyshuar se vaksina është e sigurt dhe efektive. Sipas një studimi të shkencëtarëve ndërkombëtarë, të publikuar në revistën “Lancet” në shkurt, vaksina Sputnik V është mbi 90 për qind efektive.

(Kosova Sot Online)