Jovanoviq ia kujton Vuçiqit kërcënimin me vrasjen e 100 myslimanëve: Këto fjali shqiptohen edhe sot

  • S.A /
  • 13 July 2021 - 11:57
Jovanoviq ia kujton Vuçiqit kërcënimin me vrasjen e 100 myslimanëve: Këto fjali shqiptohen edhe sot

Kryetari i Partisë Liberale Demokratike në Serbi, Çedomir Jovanoviq ka thënë se Serbia nuk ka forcë të pranojë që gjenocidi u krye në Srebrenicë.

Ai ia kujtoi Vuçiqit frazat kriminale të vitit 1995, të tilla si “njëqind myslimanë për një serb të vrarë”. Jovanoviq tha se Vuçiqi do të donte ta kthente kohën pas.

“Aleksandar Vuçiq do të jepte gjithçka në botë që të ishte në gjendje ta kthente kohën në atë 11 korrik 1995, ta ndërronte fjalorin që u shqiptua si ‘njëqind myslimanë për një serb të vrarë’, por koha nuk mund të kthehet prapa”, tha Jovanoviq.

Ai vlerësoi se Serbia nuk ka forcë taë dalë nga “balta e gjallë e keqe dhe e përgjakshme që ajo ka gatuar vetë”.

“Derisa ato fjali të shqiptohen dhe të pranohen, populli ynë nuk do të gjejë paqe dhe Srebrenica do të jetë një vend tubimi jo vetëm për nderim të viktimave, por edhe një vend tubimi si shprehje e demonstratës dhe gatishmërisë për të mbijetuar dhe për të mos u dorëzuar”, theksoi Jovanoviq.

“Vrisni një serb dhe ne do t’i vrasim 100 myslimanë”, ishte shprehja e famshme kriminale e Aleksandar Vuçiqit më 20 korrik 1995, asokohe sekretar i Partisë Radikale, ndërsa sot President i Serbisë.

(Kosova Sot Online )