“Mësoni të jetoni me virusin”, Izraeli ndryshon strategjinë për shkak të përhapjes së variantit Delta

  • G.G /
  • 13 July 2021 - 15:10
“Mësoni të jetoni me virusin”, Izraeli ndryshon strategjinë për shkak të përhapjes së variantit Delta

Katër javë më parë, Izraeli po festonte rikthimin në normalitet pas fushatës së suksesshme të vaksinimit. Numri i rasteve shënoi rënie dhe qeveria hoqi masat për mbajtjen e detyrueshme të maskës dhe të distancës sociale.

Por përhapja masive e variantit Delta, detyroi Kryeministrin Naftali Bennett të ri-vendosë disa kufizime dhe të ndryshojë politikën e tij të menaxhimit të pandemisë.

Qeveria dëshiron që izraelitët të mësojnë të jetojnë me virusin.

“Zbatimi i strategjisë së re do të përfshijë marrjen e disa rreziqeve, por duke marrë parasysh faktorët ekonomikë, ky është ekuilibri i nevojshëm,” tha Bennett javën e kaluar.

Strategjia e re do të përfshijë monitorimin e rasteve, inkurajimin për tu vaksinuar, testet e shpejta dhe fushata informacioni mbi përdorimin e maskave. Strategjia e qeverisë është e ngjashme me planet e qeverisë britanike për të rihapur ekonominë, megjithëse Izraeli është në procesin e ri-imponimit të masave ndërsa Londra po heq kufizimet.

Kufizimet përfshijnë përdorimin e detyrueshëm të maskës në ambientet e brendshme dhe karantinimin për këdo që mbërrin në Izrael. Sipas qeverisë së Izraelit për të arritur imunitetin e tufës duhet  të vaksinohet  75%  e popullsisë. Sot ky kufi është rritur në 80%.

(Kosova Sot Online)