Rusia kaplohet nga Covidi, shënon rekord viktimash, nërvozohet Putin

  • A.P /
  • 13 July 2021 - 15:36
Rusia kaplohet nga Covidi, shënon rekord viktimash, nërvozohet Putin

Rusia shënoi 780 të vdekur nga Covid-19 në 24 orët e fundit, që është shifra më e lartë ditore e viktima prej fillimit të pandemisë.

Përpos të vdekurve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 24.702 raste të reja infeksionesh, duke e çuar në 5.7 milionë numrin e përgjithshëm të të infektuarve. Në anën tjetër, numri i viktimave ka shkuar në mbi 144 mijë, shkruan Free Europe.

Megjithatë, kritikët thonë se shifrat e infektimeve dhe vdekjeve ka gjasë të jenë shumë më të larta për shkak të raportimit të gabuar të disa vdekjeve dhe fshehjes së qëllimshme të të tjerave.

Rusia po përballet me rritje të numrit të rasteve. Zyrtarët shëndetësorë thonë se këtë po e shkaktojnë varianti më ngjitës, Delta, dhe zhvillimi i ngadalshëm i procesit të vaksinimit.

Vetëm rreth 15 për qind e popullsisë e ka marrë vaksinën. Shumë rusë thonë se arsye pse nuk janë vaksinuar është mungesa e besimit ndaj vaksinës vendëse, Sputnik V.

Pavarësisht shtimit të rasteve, qeveria ruse ka thënë se nuk ka plane për të vendosur izolim të ri mbarëkombëtar.

(Kosova Sot Online)