Gashi thotë se Simmons ka bërë mëkat që as Papa nuk mund t’ia falë

  • A.P /
  • 14 July 2021 - 00:02
Gashi thotë se Simmons ka bërë mëkat që as Papa nuk mund t’ia falë

Avokati Tomë Gashi ka komentuar deklaratat e ish kryetarit të Komisionit të Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, se misioni ndërkombëtar ka bërë shkelje dhe ka bërë veprime politike me qëllim të largimit nga politika të personave të caktuar.

Malcolm Simmons, ka raportuar dje para deputetëve të Kuvendit të Kosovës për pretendimet e tij të kamotshme për korrupsion dhe keqpërdorime në këtë mision evropian për sundimin e ligjit.

Simmons ka ngritur shumë akuza për EULEX-in që nga viti 2017, atëherë kur u largua prej aty. Akuzat e tij përfshijnë ndërhyrje në hetime penale, kërcënime ndaj dëshmitarëve të mbrojtur ndërhyrje në gjykime, fshehje të provave, afera korruptive e direktiva politike.

Raportimin e tij para deputetëve nuk e priti mirë EULEX-i që reagoi duke i quajtur të pavërteta të gjitha deklaratat e Simmons. Tomë Gashi thotë se Simmons është bashkëfajtor pasi ka heshtur kur janë bërë këto shkelje.

“La bërë mëkate që as Papa nuk mund t’ia falë. Nëse ai i ka ditur këto, për bashkëpunim të prokurorëve të Serbisë me ata të EULEX-it, atëherë është dashur të reagojë në atë kohë. Nëse e ka ditur se dënimi i Sylejman Selimit është bërë vetëm për t’i lehtësuar Serbisë dhe për t;i dhënë avantazh asaj atëherë është e diskutueshme. Cdo të dytën fjalë e ka pasur le të fillojnë hetimet? Por kush t’i fillojë ato pasi Kosova nuk e ka atë kompetencë. Po të tregonte atëherë, do të kishte protesta të mëdha nëpër rrugët e Prishtinës dhe nuk do lejohej të vinte puna deri këtu”, ka thënë ai.

“Shefi ka qenë Malcolm Simmons, dhe ai reagon pas 7 viteve atëherë kjo nuk mund të falet”, shtoi ai.


(Kosova Sot Online)