ShBA-ja perëndimore kaplohet nga flakët, mbi 60 zjarre aktive në natyrë

  • G.G /
  • 14 July 2021 - 09:31
ShBA-ja perëndimore kaplohet nga flakët, mbi 60 zjarre aktive në natyrë

Mbi 60 zjarre janë aktive në së paku dhjetë shtete në pjesën perëndimore të ShBA-së. Zjarri më i madh është në Oregon dhe ka përfshirë një sipërfaqe gati sa dy herë madhësia e qytetit Portland.

Zjarret kanë shkatërruar shtëpi dhe kanë detyruar mijëra njerëz që të zhvendosen, nga Alaska deri në Wyoming, sipas Qendrës Kombëtare të Zjarreve. Më shumë se gjysma e zjarreve aktive ndodhen në Arizona, Idaho dhe Montana.

Këto zjarre kanë shpërthyer në kohën kur pjesa perëndimore e Shteteve të Bashkuara po përballet me valën e dytë të temperaturave jashtëzakonisht të larta vetëm brenda pak javësh. Shkencëtarët thonë se gjendja me zjarret po përkeqësohet nga thatësia masive, e cila është ndihmuar edhe nga ndryshimet klimatike.

Në pjesën veriore të Kalifornisë, rrufeja shkaktoi zjarre, të cilat për disa ditë u luftuan nga zjarrfikësit. Flakët janë përforcuar nga era, moti i nxehtë dhe lagështia e ulët.

Ka raportime për shtëpi të djegura, por dëmet materiale ende janë duke u vlerësuar. Zjarret kanë përfshirë një sipërfaqe prej 362 kilometrash katror, shkruan The Guardian.

(Kosova Sot Online)