Kryeziu jep detaje për vizitën e Kurtit në Greqi: Është atje nga 8 korriku

  • G.G /
  • 14 July 2021 - 11:09
Kryeziu jep detaje për vizitën e Kurtit në Greqi: Është atje nga 8 korriku

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu, përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në ‘facebook’, ka dhënë detaje për vizitën e kryeministrit Kurti dhe qëndrimin disa ditor në Greqi, pasi në media u raportua se Kurti po qëndron në një resor luksoz atje bashkë me familjen dhe nuk po kthehet në Kosovë për t’u marrë me situatën e rënduar në Deçan ku janë helmuar mbi 1 mijë qytetarë.

Kryeziu ka treguar se kryeministri është duke qëndruar në Greqi nga 8 korriku me ftesë të dy organizatorëve për dy konferenca ku Kurti ka qenë pjesë e panelit.

“Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI”, ka shkruar Kryeziu.

Ai ka thënë se kjo është hera e katërt që Kurti merr pjesë në një organizim të tillë, teksa ka sqaruar se shpenzimet e udhëtimit dhe akomodimit mbulohen nga organizatori.

“Sivjet është hera e katërt që kryeministri Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre. Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori”, ka shkruar tutje zëdhënësi i Qeverisë.

 Kryeziu në fund ka thënë se kreu i ekzekutivit  ka biseduar në telefon me kreun e Komunës së Deçanit dhe ministrin Vitia, derisa ka përmendur edhe faktin se atje kanë qëndruar edhe presidentja Osmani dhe zv.kryeministrja, Donika Gërvalla.

“Pas takimit të djeshëm me ministrin e Punëve të Jashtme, z.Dendias, kryeministri Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Ramosaj dhe me ministrin e Shëndetësisë, z.Vitia më të cilin bisedoi gjersa ai po qëndronte në Deçan. Dje në Deçan ishin edhe Presidentja e vendit, znj. Osmani,  zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, z. Mehaj.

Të helmuarve ju dëshirojmë edhe njëherë shërim të shpejtë. Po bëjmë gjithçka me të gjitha mundësitë, që së bashku të tejkalojmë këtë gjendje”, ka përfunduar Kryeziu.

Se Kurti po qendron në resorin luksoz e kishte konfirmuar ish-kryeministri grek,George Papandreou.

https://www.facebook.com/perparim.kryeziu.779/posts/335234511434036

(Kosova Sot Online)