Një kameraman vdiq, 4 televizione e ndërpresin transmetimin si protestë

  • A.P /
  • 14 July 2021 - 16:01
Një kameraman vdiq, 4 televizione e ndërpresin transmetimin si protestë

Katër televizione në Gjeorgji e ndërprenë transmetimin të mërkurën në shenjë proteste për vdekjen e një kameramani që u rrah gjatë dhunës kundër aktivistëve të LGBT-së dhe e kërkuan dorëheqjen e kryeministrit.

Qindra njerëz dolën në rrugët e kryeqytetit Tblilisi në ish-republikën sovjetike për të kërkuar dënim për personat përgjegjës për vdekjen e kameramanit Aleksander Lashkarava.

Ai u gjet u vdekur në shtëpinë e tij nga nëna e vet pas lëndimit, kur grupet që e kundërshtuan marshin e planifikuar të LGBT-së u futën me dhunë në zyrën e këtij komunitetit. Marshi u anulua për shkak të dhunës.

TV Pireli ishte një nga katër kanalet televizive që e ndërpreu transmetimin dhe i shfaqi në ekran emrat e gazetarëve të lënduar në ditën e sulmit ndaj zyrës së LGBT-së.

Ky televizion, Mtavari Arkhi, Formula dhe Kavkasia bënë thirrje për dorëheqjen e Kryeministrit Irakli Garibashvili dhe dënimin e personave përgjegjës.

Aktivistët për të drejtat e njeriut i kanë akuzuar autoritetet gjeorgjiane për inkurajimin e grupeve të urrejtjes dhe dështim për t’i mbrojtur gazetarët dhe përkrahësit e të drejtave të komunitetit LGBT.

Ministria e Brendshme e Gjeorgjisë ka thënë se është duke e hetuar vdekjen e kameramanit, por nuk ka përmendur ndonjë shkaktar të vdekjes.

(Kosova Sot Online)