Haradinaj thirrje qytetarëve: Dilni dhe protestoni

  • A.P /
  • 14 July 2021 - 19:59
Haradinaj thirrje qytetarëve: Dilni dhe protestoni

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje të protestohet kundër vendimit të Qeverisë për taksën 4.90 euro për automjetet në Kosovë.

Haradinaj ka thënë se me këtë vendim përfiton një biznes privat dhe individët e lidhur me të, raporton Gazeta Express.

“Qeveria e Kosovës ka vendos një taksë krejtësisht të re, në vlerë prej 5 euro, në secilën herë që i regjistroni automjetet tuaja.  Me këtë vendim përfiton një biznes privat dhe individët e lidhur me të, duke zbraz xhepat e qytetarëve me afro 2 milion euro në vit, të cilat nuk i shkojnë buxhetit të shtetit. Qytetarë të nderuar, PROTESTONI!”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Ndërsa ka bërë thirrje për protestë, ai thotë se pa asnjë arsye qytetarëve do t’u merren rreth 5 euro për secilin automjet.

“U protestua për pesë euro taksë për shfrytëzim të Rrugës së Kombit, ndërsa tani, pa asnjë arsye iu merren 5 euro për secilin automjet! Protestoni për të drejtat tuaja”.

Nga data 1 shtator, kompania “Auto Control Kosova”, do të inkasojë nga 4.90 euro, për secilin automjet për t’i vënë asaj tiketën ngjitëse, e cila konfirmon se mjetit motorik i është kryer kontrolli teknik.


(Kosova Sot Online)