Izetbegoviq thotë se arrestimi i drejtorit të Agjencisë boshnjake të Inteligjencës u bë për shkak të Serbisë

  • G.G /
  • 15 July 2021 - 11:00
Izetbegoviq thotë se arrestimi i drejtorit të Agjencisë boshnjake të Inteligjencës u bë për shkak të Serbisë

Kreu i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviq pretendon se arrestimi i shefit të Agjencisë boshnjake të Inteligjencës, Osman Mehmedagiq është një përpjekje për ta kompromentuar atë.

“Qëllimi është ta heqim atë në mënyrë që shërbimi i sigurisë i BeH të kontrollohet nga politikat anti-shtetërore të cilat do ta bëjnë atë degë të agjencive të inteligjencës nga fqinjët”, tha Izetbegoviq, duke theksuar veçanërisht Serbinë.

Sipas Izetbegoviqit, “qëllimi nuk është i fshehur”.

“Ne kemi qenë dëshmitarë të disa prej politikanëve kryesorë serbë që e quajtën Agjencinë boshnjake të Inteligjencës agjenci armike”, tha ai.

“Ata janë përpjekur ta bëjnë këtë për vite me rradhë, duke trilluar skandale të ndryshme – nga përgjimi i pretenduar i udhëheqjes politike serbe e tutje. Deri më tani, të gjitha akuzat kundër Mehmedagiqit janë hedhur poshtë gjatë hetimit ose në gjykatë, por ato vazhdojnë”, shkroi Izetbegoviq në Facebook.

(Kosova Sot Online)