Bie në vrimën e ashensorit, vdes i riu nga Gjakova

  • G.G /
  • 16 July 2021 - 08:50
Bie në vrimën e ashensorit, vdes i riu nga Gjakova

Një person i moshës 16 vjeçare ka ndërruar mbrëmë jetë në Gjakovë, pasi i njëjti ka rënë nga vrima e ashensorit në katin e gjashtë të një ndërtese.

Viktima së bashku me dy shokët e tij kishte hipur në një objekt gjashtë katësh, i cili ishte në ndërtim e sipër. Ata kishin shkuar aty për të konsumuar cigare.

Objekti në të cilën viktima kishte shkuar së bashku me shokët e tij nuk ishte i siguruar dhe nuk posedonte rrethoja të shkallëve, kësisoj viktima gjatë qëndrimit në atë objekt kishte rënë nga kati më i lartë i ndërtesës në hapësirën që është e dedikuar për ashensorë.

Viktima nga ky rrëzim kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe ishte dërguar në spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë. Mirëpo, për shkak të lëndimeve të pësuara, viktima kishte ndërruar jetë rreth orës 03:00.

Rasti ka ndodhur dje para mesnate në rrugën “Ali Pashë Tepelena’ në Gjakovë.

Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar Nysret Gjurkaj, zëdhënës në Policinë e Gjakovës, i cili njoftoi se rasti është ende nën hetime.

“Rastit ju kanë përgjigjur të gjitha njësitë relevante policore dhe Prokurori i Shtetit dhe me urdhër të tij trupi i pa jetë dërgohet në obduksion. Rreth orës 03:00 kanë arritur ekipi i mjekësisë ligjore, ku e kane marrë trupin e pajetë dhe janë nisur në drejtim të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Rasti në vijimësi te hetimeve”, tha ai për Sinjalin.

(Kosova Sot Online)