Shteti evropian do ta ofrojë edhe dozën e tretë të vaksinës për Covid-19

  • G.G /
  • 16 July 2021 - 09:50
Shteti evropian do ta ofrojë edhe dozën e tretë të vaksinës për Covid-19

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha të premten se vendi i tij do ta ofrojë mundësinë për marrjen e dozës së tretë të vaksinës për Covid-19 nga fillimi i gushtit dhe do ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin për të gjithë punëtorët shëndetësorë.

Orbani i tha radiostacionit publik se mjekët do të vendosin se cilën vaksinë duhet ta marrin njerëzit si dozë të tretë, e cila duhet të merret së paku katër muaj pas dozës së dytë, përpos nëse mjekët këshillojnë ndryshe, shkruan Free Europe.

Mbi 5.5 milionë hungarezë nga 9.8 milionë banorë të këtij shteti e kanë marrë të paktën dozën e parë të vaksinës, që nënkupton se qeveria e ka arritur objektivin e saj, thanë zyrtarët më herët këtë muaj.

Hungaria është shteti i vetëm i Bashkimit Evropian që, përpos tri vaksinave të miratuara nga BE-ja, ua ka dhënë dritën e gjelbër edhe vaksinave ruse dhe kineze para se Agjencia Evropiane e Ilaçeve t’i vlerësojë apo t’i miratojë ato.

(Kosova Sot Online)