ShBA-ja ofron shpërblim marramendës për zbuluesit e autorëve të sulmeve kibernetike

  • G.G /
  • 16 July 2021 - 09:57
ShBA-ja ofron shpërblim marramendës për zbuluesit e autorëve të sulmeve kibernetike

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur që të ofrojnë hiç më pak se 10 milionë dollarë shpërblim për personat që ofrojnë informata që çojnë në identifikimin e autorëve të sulmeve kibernetike pas një vale sulmesh për të cilat dyshohet se kanë ardhur nga Rusia.

Departamenti i Shtetit tha përmes një deklarate të enjten se do t’ia dhurojë dhjetë milionë dollarë kujtdo që mund ta identifikojë vendndodhjen e një personi që e sulmon infrastrukturën e ndjeshme të ShBA-së përmes internetit.

Ky shpërblim është pjesë e programit të mëhershëm të Departamentit të Shtetit, të quajtur “Shpërblime për Drejtësi”. Autoritetet amerikane do të ofrojnë një kanal të sigurt në internet për t’i mbrojtur ata që mund të ofrojnë të dhëna, shkruan Free Europe.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se shumë nga sulmet e fundit kibernetike e kanë prejardhjen nga Rusia, por lidhja mes tyre dhe qeverisë ruse nuk është vërtetuar ende. Rusia ka mohuar se ka gisht në këto sulme.

Presidenti Joe Biden muajin e kaluar e ngriti çështjen e sulmeve kibernetike gjatë takimit me homologun rus, Vladimir Putin, ndërsa javën e kaluar përmes një bisede telefonike i kërkoi atij që të marrë masa kundër grupeve kriminale kibernetike që operojnë në Rusi.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë gjithashtu i ka thënë Putinit se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin secilin veprim të nevojshëm për t’i mbrojtur amerikanët dhe infrastrukturën e rrezikuar nga sulmet kibernetike.

(Kosova Sot Online)