A rrezikohet Kosova nga përmbytjet? Tregojnë nga IHMK-ja

  • G.G /
  • 16 July 2021 - 10:30
A rrezikohet Kosova nga përmbytjet? Tregojnë nga IHMK-ja

Shteti i Gjermanisë tash e dy ditë është duke u përballur me një gjendje katastrofale si pasojë e përmbytjeve që janë shkaktuar nga të reshurat e mëdha të shiut, ku deri tash mbi 80 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë zhdukur.

E gjitha kjo sipas ekspertëve është thënë se po ndodh për shkak të ndryshimeve klimatike.

E në Kosovë, për javën e ardhshme është paraparë që të ketë ndryshim të motit ku do të ketë edhe reshje shiu në formë stuhish dhe shkarkime rrufesh.

I kontaktuar Bashkim Kastrati nga sektori për Hidrologji dhe Prognoza Hidrologjike, në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës, ka thënë se Kosova nuk rrezikon të përballet me një situatë të ngjashme sikurse Gjermania.

Kastrati ka theksuar se pavarësisht reshjeve që do të bien gjatë javës së ardhshme, nuk ka rrezik për vërshime e as përmbytje të përmasave të tilla.

“Jemi tu e përcjell situatën meteorologjike, mund të ketë reshje lokale, por përmbytje të përmasave të tilla nuk ka rrezik, jemi jashtë asaj zone”, u shpreh Kastrati.

Në anën tjetër, Besim Aliu nga IHMK ka treguar për Telegrafin se gjatë javës së ardhshme do të ketë rënie të temperaturave të cilat do të shoqërohen me reshje shiu.

“Edhe sot parashihet të kemi reshje shiu në formë stuhish, nuk përjashtohet mundësia që në vende të izoluara të kemi edhe reshje breshëri për shkak të rënies të temperaturave nga 37 sa ishin para disa dite deri në 28-27 gradë. Do të ketë erë nga juglindja dhe shpejtësia do të jetë e lehtë”, ka thënë Aliu.

Ai ka shtuar se ky mot përveç që do të përcjellët me reshje shiu dhe vende-vende me breshër, do të kemi vazhdimisht edhe shkarkime rrufesh.

Aliu ka theksuar se temperatura më e lartë është regjistruar pardje në komunën e Kamenicë 37.4 gradë celsius, pastaj në Gjakovë, Prizren dhe Malishevë.

(Kosova Sot Online)