Presidentja Osmani reagon pas takimit Biden-Merkel: Do t’i kundërshtojmë ata që synojnë destabilizimin e rajonit

  • G.G /
  • 16 July 2021 - 11:24
Presidentja Osmani reagon pas takimit Biden-Merkel: Do t’i kundërshtojmë ata që synojnë destabilizimin e rajonit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falenderuar presidentin amerikan Joe Biden dhe kancelaren Angela Merkel për mesazhin e tyre të përbashkët përkrahës që Ballkani Perëndimor të integrohet në Bashkimin Evropian.

Osmani ka shkruar që me përkrahjen e ShBA-së dhe Gjermanisë mund të kundërshtohen fuqishëm ata që provojnë ta destabilizojnë rajonin.

“Faleminderit presidentit të ShBA-së, Joe Biden dhe kancelares Merkel për dërgimin e mesazhit të qartë të mbështetjes për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE në deklaratën e tyre të përbashkët. Me përkrahjen tuaj, ne do t’i kundërshtojmë fuqishmë ata që përpiqen ta destabilizojnë rajonin tonë.”, ka shkruar ajo.

Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania do të qëndrojnë së bashku kundër agresionit rus, tha presidenti amerikan, Joe Biden, përderisa e priti në takimin lamtumirës në Uashington kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se e ka ngritur shqetësimin e tij para zonjës Merkel rreth gazsjellësit që e lidh Gjermaninë me Rusinë, por se ata u pajtuan që Moska nuk mund të lejohet që ta përdorë energjinë si armë.

(Kosova Sot Online)