Orbani ia kthen BE-së pas masave për LGBT-në: Ja çka bëhet në shkollat gjermane
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, të premten e akuzoi Komisionin Evropian për atë që e quajti “huliganizëm të legalizuar” për masat ligjore kundër ligjit të qeverisë së tij, për të cilin BE-ja thotë se paraqet diskriminim ndaj komunitetit LGBT.
Masat ligjore për shkelje kundër Hungarisë u ndërmorën nga Komisioni Evropian shkaku i një ligji të ri hungarez, me të cilin në shkolla ndalohet përdorimi i materialeve që cilësohen si promovim i homoseksualizmit ose ndryshimit të gjinisë.
Duke i dhënë zjarr edhe më shumë luftës me fjalë me Brukselin, kryeministri Orban për radiostacionin publik hungarez të premten tha: “Ky (veprim ligjor i BE-së për shkelje) është huliganizëm i legalizuar. Qëndrimi i Komisionit Evropian është i turpshëm.”
Ai gjithashtu tha se debati mes qeverisë hungareze e organeve të BE-së për LGBT-në e paraqet një pjesë të asaj që e quajti “jetë evropiane”, për atë se çfarë bëhet në shkollat e Gjermanisë, duke përsëritur se Hungaria nuk do t’i lejojë aktivistët e LGBT-së “që të marshojnë poshtë e lart” në shkolla duke e promovuar “propagandën seksuale”, shkruan Reuters.
Ndryshe, Komisioni Evropian tha të enjten se ka filluar masa ligjore kundër Hungarisë dhe Polonisë për atë që e ka cilësuar si diskriminim kundër komuniteteve LGBT në këto dy shtete të BE-së.
“Komisioni është duke filluar procedura për shkelje kundër Hungarisë dhe Polonisë në lidhje me barazinë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
“Dy shtetet anëtare tani kanë dy muaj për t’iu përgjigjur argumenteve të ngritura nga Komisioni. Në të kundërtën, Komisioni mund të vendosë që t’iu dërgojë atyre një opinion të arsyetuar dhe në një hap të ardhshëm t’i drejtojë ato në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Evropian”, shtohet më tej.
(Kosova Sot Online)