Rritet numri i viktimave të vërshimeve edhe në Belgjikë

  • G.G /
  • 16 July 2021 - 12:15
Rritet numri i viktimave të vërshimeve edhe në Belgjikë

Qendra belge e krizave u bëri thirrje njerëzve që të mos udhëtojnë në jug dhe në lindje të shtetit për shkak të vërshimeve dhe daljes së lumenjve nga shtrati. Numri i viktimave në shtetin e vogël perëndimor të BE-së shkoi në 14.

Reshjet e shiut, të cilat filluan para një jave, më në fund u ndalën, por disa komunitete në pjesë të ndryshme të vendit janë nën presion, sepse Lumi Meuse, i cili kalon nëpër qytetin Liege, po vazhdon të rritet dhe ka rrezik që mund të vërshojë.

Disa qyteza dhe fshatra tashmë janë zhytur në ujë, përfshirë Pepinster-in, ku rreth dhjetë shtëpi janë shembur pjesërisht apo plotësisht. Mediet belge raportuan për 14 të vdekur e katër të zhdukur, shkruan Reuters.

Qendra e krizave, e cila po i koordinon përpjekjet për kërkim-shpëtim bashkë me autoritetet lokale, tha se shumë rrugë janë bllokuar ose janë të rrezikshme për qarkullim.

Kjo qendër tha se Franca, Holanda, Austria, Italia dhe Luksemburgu kanë ofruar ndihma dhe personel, përfshirë punëtorë të kërkim-shpëtimit, barka, helikopterë dhe automjete për terrene të vështira.

Pjesë të mëdha të rrjetit hekurudhor në jug të Belgjikës janë të papërdorshme, ndërsa segmente të caktuara të binarëve janë zhvendosur nga uji. Janë pezulluar edhe shërbimet e trenave të shpejtë për në Gjermani dhe pritet që pezullimi të mbetet në fuqi edhe të shtunën.

(Kosova Sot Online)