Ngjashëm si para 10 ditëve, një aeroplan tjetër zhduket në Rusi

  • G.G /
  • 16 July 2021 - 13:37
Ngjashëm si para 10 ditëve, një aeroplan tjetër zhduket në Rusi

Një aeroplan udhëtarësh i tipit Antonov An-28, në të cilin raportohet se ndodheshin deri në 17 persona, u zhduk nga radarët të premten përderisa po fluturonte mbi rajonin siberian, Tomsk, citohen të kenë thënë zyrtarët rusë.

Agjencitë e lajmeve, TASS dhe RIA, cituan zyrtarët lokalë të kenë thënë se në fluturimin mes qytezës Kedrovy dhe kryeqytetit rajonal, Tomsk, ndodheshin nga 13 deri në 17 persona.

Lajmi për zhdukjen e këtij aeroplani vjen më pak se dy javë pasi një aeroplan i ngjashëm, i tipit Antonov-26, u përplas në një shkëmb në mot me dukshmëri të dobët në gadishullin Kamchatka, në lindjen e largët të Rusisë, duke lënë të vdekur të gjithë 28 personat që ndodheshin në të.

Një aeroplan i tipit Antonov-28 ishte rrëzuar në një pyll në Kamchatka në vitin 2012, kur kishin vdekur dhjetë njerëz. Hetuesit kishin thënë se të dy pilotët ishin të dehur në kohën e aksidentit.

Standardet e sigurisë së aviacionit janë përmirësuar viteve të fundit në Rusi, por aksidentet nuk kanë qenë shumë të rralla, sidomos ato me aeroplanë të vjetruar.

Para pak më shumë se një viti, një aeroplan i kompanisë “Saratov Airlines” u rrëzua pak minuta pas ngritjes nga Moska. Të gjithë 71 personat që ndodheshin në të vdiqën.

(Kosova Sot Online)