Abazoviq në vizitë në Shqipëri, takon Ramën dhe Metën

  • G.G /
  • 16 July 2021 - 14:06
Abazoviq në vizitë në Shqipëri, takon Ramën dhe Metën

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka takuar zëvendëkryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq. Abazoviq ka takuar edhe kryeministrin Edi Rama gjatë vizitës në Shqipëri.

Në takimin me Abazoviq, Meta ka theksuar domosdoshmërinë e përfshirjes së shqiptarëve në institucionet e Malit të Zi.

Presidenti Meta ka shkruar se është krenar për kontributin e shqiptarëve në mbështetje të pavarësisë së Malit të Zi dhe integrimit të plotë të tij euroatlantik.

“Kënaqësi të takoja sot Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi. I lumtur të shprehnim vullnetin e përbashkët mbi nevojën e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të shkëlqyer mes dy vendeve dhe popujve tanë, në të gjitha fushat. Theksova domosdoshmërinë e përfaqësimit më të drejtë dhe përfshirës të shqiptarëve në të gjitha institucionet e Malit të Zi, si dhe nevojën për mbështetjen e projekteve infrastrukturore të zonave ku ata banojnë. Shumë krenar për kontributin e vyer dhe të vazhdueshëm të shqiptarëve në mbështetjen e Pavarësisë së Malit të Zi dhe integrimit të plotë të tij euroatlantik”, ka thënë Meta.

Kurse, Edi Rama ka njoftuar se ka pasur dakordësi në çdo pikë në takimin me Abazoviqin.

“Kënaqësi e posaçme takimi i parë me zv.kryeministrin shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, me të cilin kaluam si dy miq të vjetër dhe patëm dakordësi në çdo pikë”, ka thënë Rama.

(Kosova Sot Online)