ShBA-ja e dënon me vdekje vrasësin e të dashurës së aktorit Ashton Kutcher

  • S.A /
  • 17 July 2021 - 08:55
ShBA-ja e dënon me vdekje vrasësin e të dashurës së aktorit Ashton Kutcher

Michael Gargiulo, i njohur edhe si “Rrjepësi i Hollivudit” është dënuar me vdekje në ShBA për vrasjen e dy grave para rreth dy dekadave.

Rasti kishte marrë vëmendje botërore për shkak se njëra nga viktimat, Ashley Ellerin, ishte duke dalë në takim me aktorin amerikan, Ashton Kutcher, shkruan BBC.

Ellerin, 22 vjeçe, ishte gjetur e vdekur me 47 plagë të shkaktuara nga therja në shkurt të vitit 2001.

Viktima tjetër ishte Maria Bruno, grua 32-vjeçare, nënë e katër fëmijëve. Ajo ishte fqinje e vrasësit, i cili e kishte masaktruar me thikë përderisa ajo flinte në dhjetor të vitit 2005, thanë prokurorët.

Michelle Murphy, gruaja të cilën Gargiulo ishte përpjekur ta vriste, kishte mbijetuar dhe dëshmoi në gjykatë kundër tij.

Gargiulo tani pritet të përballet edhe me një proces tjetër gjyqësor në Illinois, ku akuzohet për vrasjen e një vajze 18-vjeçare më 1993.

Pavarësisht dënimit me vdekje, ekzekutimi i këtij personi mund të marrë kohë. Ekzekutimi i fundit në Kaliforni është kryer më 2006 dhe kjo praktikë është ndaluar nga viti 2019 nën pushtetin e guvernatorit nga Partia Demokratike, Gavin Newsom.

(Kosova Sot Online )