S’e mori vaksinën, detyrohet t’i transplantojë mushkëritë pas infektimit me Covid-19

  • G.G /
  • 17 July 2021 - 10:43
S’e mori vaksinën, detyrohet t’i transplantojë mushkëritë pas infektimit me Covid-19

Një burrë i pavaksinuar nga Georgia e Shteteve të Bashkuara u detyrua që t’i nënshtrohet transplantimit të të dyja pjesëve të mushkërive, pasi u infektua me koronavirus.

Blake Bargatze, 24 vjeç, ishte anëtari i vetëm në familjen e vet që nuk u vaksinua për shkak se ishte i shqetësuar për efektet anësore të vaksinës, shkruan Daily Mail.

Megjithatë, familja e tij beson se ai u infektua gjatë pjesëmarrjes në një koncert në Florida dhe shëndeti i tij u përkeqësua shpejt, raportojnë mediet lokale.

Ai u mbajt tre muaj në repartin e kujdesit intensiv në tri spitale para se t’i nënshtrohej operacionit serioz për transplantim.

Tani, i përballur me disa muaj rehabilitim, familja e tij thotë se Blake dëshiron që ta kishte marrë vaksinën dhe do që t’i paralajmërojë të tjerët që ta marrin atë në mënyrë që të mos rrezikohen nga ajo që i ndodhi atij.

Ndonëse të gjithë familjarët ishin vaksinuar, Blake kishte thënë se dëshiron të presë. “Ai deshi të presë disa vjet për të parë nëse ka ndonjë efekt anësor apo diçka prej saj (vaksinës), tha nëna e tij, Cheryl Nuclo.

“Posa u dërgua në spital, megjithatë, ai tha se do të donte që ta kishte marrë vaksinën”, shtoi ajo.

Blake mori pjesë në një shfaqje me muzikë në mjedis të mbyllur në Florida, ku beson se u infektua me koronavirus.

(Kosova Sot Online)