Pamje: Afganët ikin në Turqi, talibanët e marin kontrollin

  • G.G /
  • 17 July 2021 - 12:01
Pamje: Afganët ikin në Turqi, talibanët e marin kontrollin

Njëzet e tetë ditë pas udhëtimit për t’u larguar nga Afganistani, një grua dhe pesë fëmijët e saj po qëndrojnë ulur nën një hije afër një stacioni autobusësh në Tatvan, qytezë në breg të Liqenit Van, në lindje të Turqisë.

Ajo po pret një trafikues, i cili është paguar paraprakisht, për ta dërguar këtë familje në Stamboll. Të lodhur e të papastruar, fëmijët më të vegjël luajnë në pluhur dhe qeshin. Trafikuesi është vonuar dy ditë, shkruan The Guardian.

“Burri im vdiq duke i luftuar talibanët në Ghazni. Atje tash ka beteja të ashpra. Ne e shfrytëzuam rrugën malore (për në Iran) dhe u ndalëm nga ushtarët turq në kufi, por ata na lanë të kalojmë. Kemi ecur me ditë. Fëmijët po më sëmuren. Është situatë shumë e vështirë”, thotë nëna e pesë fëmijëve.

Kaosi e ka përfshirë shpejt Afganistanin pas tërheqjes së trupave në ShBA-së dhe NATO-s 20 vjet pas luftës kundër talibanëve. Talibanët pretendojnë se e kanë nën kontroll 85 për qind të vendit, duke shkaktuar frikë për ringjallje të luftës civile.

Ndonëse është herët të thuhet nëse avancimi i talibanëve do të shkaktojë eksod të ri të refugjatëve afganë jashtë vendit, Agjencia e Refugjatëve e OKB-së thotë se vetëm nga janari, rreth 270.000 njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe janë zhvendosur brenda vendit, duke e çuar në mbi 3.5 milionë numrin e përgjithshëm të popullsisë së zhvendosur afgane.

(Kosova Sot Online)