Eksperti i sigurisë: Janë më shumë se 11 të riatdhesuar, tre vëllezër nga Malisheva ishin në Siri

  • G.G /
  • 19 July 2021 - 09:53
Eksperti i sigurisë: Janë më shumë se 11 të riatdhesuar, tre vëllezër nga Malisheva ishin në Siri

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla bëri të ditur dy ditë më parë se janë riatdhesuar 11 qytetarë që kanë qëndruar në zonat e luftës në Siri.

Por, drejtori për Siguri i Institutit të Kosovës për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi tha se nuk beson se janë vetëm kaq.

“Ditën e shtunë kishim një konfirmim nga Ministri se janë kthyer 11 shtetas të Kosovës, për të cilin numër unë nuk besoj se është vetëm kaq, por ka më shumë, duhej të jenë kthyer apo riatdhesuar edhe disa luftëtar”, tha ai.

Elezi shtoi se kishin informacione se do të ndodhte ky riatdhesim.

“Kemi pasur informacion në vazhdimësi, madje edhe një ditë para riatdhesimit, saktësisht ditën e premte neve kemi publiku një shkrim ku kemi thënë se së shpejti do të ndodh riatdhesimi i grave, fëmijëve dhe të tjerëve, pra ashtu edhe ndodhi”, shtoi Elezi.

Ai foli edhe për rastin e tre vëllezërve nga Malisheva, ku dy prej tyre kanë vdekur dhe njëri sipas tij është në mesin e të kthyerve të fundit nga Siria.

“Tre vëllezër Hasani nga Malisheva kanë qenë në Siri njëri është vrarë në vitin 2018, njëri ka vdekur si rezultat i COVID-19 dhe njëri duket se tani është kthy, është në këtë grupin e kë kthyerve, për të cilin nuk mund ta konfirmoj”, tha drejtori.

Elezi tregoi se ka pasur një takim me Ministrin Sveçla, me të cilin kanë diskutuar për kërkesën amerikane të këtij riatdhesimi, numri i të cilëve sipas Elezit është më i madh dhe se kjo jotrasparencë krijon më shumë mundësi për keqpërdorime.

“Është një kosto financiare, është një shpenzim për riintegrimin e tyre, ata po mbështeten vazhdimisht nga shteti, çoftë me banim e ushqim, por ne nuk dim asgjë se sa është ajo kosto, cilat janë procedurat ligjore të tenderimit të atyre shërbimeve që ata i marrin, dyshoj se kjo jotransparenca krijon më shumë amulli dhe krijon më shumë mundësi për keqpërdorime eventuale”, shtoi Elezi.

Tutje eksperti i sigurisë foli edhe për procedurat pas kthimit të tyre, duke theksuar se viktimave fillimit iu jepet ndihma mjekësore, pastaj bëhet verifikimi i tyre dhe pas disa procedurave ata përgatitet për t’u kthyer në familjet e tyre.

(Kosova Sot Online)