Lajçak i takon veçmas Kurtin dhe Vuçiqin para takimit ballë për ballë

  • G.G /
  • 19 July 2021 - 13:50
Lajçak i takon veçmas Kurtin dhe Vuçiqin para takimit ballë për ballë

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak këtë mëngjes i takoi veçmas kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Siç deklaroi Lajcak, takimet u mbajtën si pjesë e përgatitjeve për takimin brenda dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili është planifikuar të nis rreth orës 15:30.

“Këtë mëngjes, kam mbajtur takime të ndara me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për t’u përgatitur për takimin e nivelit të lartë të Dialogut këtë pasdite”, shkroi Lajçak në Twitter.

Kurti pritet të takohet edhe me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell përpara se ta takojë Vuçiqin, i cili gjithashtu paraprakisht do të takohet me Borrellin.

Ky do të jetë takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit. Takimi i parë mes tyre u zhvillua më 15 qershor, kur procesi i dialogut, i cili u ndërpre në shtator të vitit 2020, rifilloi.

Takimi i parë tregoi se palët kishin dallime të mëdha, megjithatë të dy krerët e dy shteteve u pajtuan që t’i vazhdojnë takimet.

Siç njoftoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, bisedimet mes Kurtit dhe Vuçiqit do të përqendrohen në përparimin e arritur si dhe në hapat e mëtejmë në procesin e dialogut.

(Kosova Sot Online)