I theri me thikë babë e bir në kokë, në një qendër tregtare – Ja çka deklaroi në Gjykatë i akuzuari

  • G.G /
  • 19 July 2021 - 14:27
I theri me thikë babë e bir në kokë, në një qendër tregtare – Ja çka deklaroi në Gjykatë i akuzuari

I akuzuari për veprën penale “vrasje në tentativë”, Leotrim Rama, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore të Prishtinës.  

Ai akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje, për të cilën vepër, po ashtu ka mohuar fajësinë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Ilaz Beqiri dhe pas deklarimit nga i akuzuari Rama, gjykatësi Agim Kuçi ka njoftuar palët në procedurë se në afat prej 15 ditësh mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Sipas gjykatësit Kuçi, shqyrtimi gjyqësor eventual do të caktohet pasi që aktvendimi lidhur me kundërshtimin e provave dhe hudhje të aktakuzës të bëhet i plotfuqishëm.

Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit Rama, avokati Arbër Rexha i ka propozuar gjykatës që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit pasi sipas tij kanë pushuar të gjitha arsyet për të cilat është caktuar dhe vazhduar kjo masë.

Ai kërkoi që ndaj të mbrojturit të tij të caktohet masa e arrestit shtëpiak, mirëpo këtë propozim e ka kundërshtuar prokurori Beqiri të cilin më pas gjykata e ka refuzuar.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 korrik 2021, Leotrim Rama akuzohet se më 1 qershor 2021, në Prishtinë në Qendrën Tregtare “Ingjinjering”, derisa sa të dëmtuarit Ahmet dhe Gëzim Bajrami (babë e bir) kanë qenë duke pastruar Qendrën Tregtare, i akuzuari Rama ka trokitur në derën kryesore të kësaj qendre ku i dëmtuari Ahmet Bajrami i ka thënë se lokali është mbyll.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari ka insistuar duke e goditur derën dhe nga frika i dëmtuari Ahmet e ka hapur derën, kështu që i akuzuari Rama me qëllim që ta privoj nga jeta fillimisht e godet me thikë të dëmtuarin Ahmet në regjionin murorë të kokës duke i shkaktuar plagë shqyese.

Tutje, sipas aktakuzës, kur i dëmtuari Gëzim Bajrami, i cili gjendej në katin e dytë të Qendrës Tregtare, ka dëgjuar krismat ka zbritur për të parë se çfarë po ndodhë me babanë e tij, në atë moment i akuzuari Rama me dashje që ta privoj nga jeta e godet me thikë në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast i shkakton plagë prerëse-shpuese.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, diapozitivi i dytë i kësaj aktakuzë, e ngarkon Ramën edhe me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 të KPRK-së, sepse në të njëjtën datë, vend dhe kohë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze ai ka mbajtur në pronësi dhe posedim një thikë në shkelje me ligjin e zbatueshëm për armët.

(Kosova Sot Online)