Analisti serb: Pres që sot të arrihet kjo marrëveshje në Bruksel

  • G.g /
  • 19 July 2021 - 14:33
Analisti serb: Pres që sot të arrihet kjo marrëveshje në Bruksel

Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, deklaroi sot se pret që në vazhdimin e bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të ketë një marrëveshje për kërkimin e personave të zhdukur nga të dy palët.

Janjiq i tha TV Prva-s se kjo “mund të shihet nga përgatitja” e takimeve, si dhe se ai pret që pas takimit të sotëm “do të ketë hapje të reja të varreve” në Serbi dhe Kosovë.

Ai tha se priste që të arrihej një “hap i vogël” në fillimin e punës së Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti do të takohet sot për herë të dytë me Vuçiqin. Takimi i parë mes tyre u zhvillua më 15 qershor, kur procesi i dialogut, i cili u ndërpre në shtator të vitit 2020, rifilloi.

Takimi i parë tregoi se palët kishin dallime të mëdha, megjithatë të dy krerët e dy shteteve u pajtuan që t’i vazhdojnë takimet.

Siç njoftoi zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, bisedimet mes Kurtit dhe Vuçiqit do të përqendrohen në përparimin e arritur si dhe në hapat e mëtejmë në procesin e dialogut.

(Kosova Sot Online)