Largohen masat anti-Covid, vendimi konsiderohet si “dita e lirisë” nga qytetarët

  • A.P /
  • 19 July 2021 - 16:25
Largohen masat anti-Covid, vendimi konsiderohet si “dita e lirisë” nga qytetarët

Britania deklaroi heqjen e masave kufizuese anti-Covid pas 17 muajsh. Vendimi heq detyrimin për mbajtjen e maskës dhe ndalimin e grumbullimeve ndërkohë që vendi ka shënuar deri në 50 mijë infektime ditore.

Kryeministri, Boris Johnson, i cili ka hyrë në karantinë 10 ditore pasi ka pasur kontakt me sekretarin e Shëndetësisë të prekur nga Covid, ka thënë se tani është momenti i duhur për heqjen e masave pasi popullata është imunizuar nga vaksinimi.

Autoritetet britanike deklaruan heqjen e pothuajse të gjitha kufizimeve të vendosura më parë për shkak të koronavirusit, edhe pse numri i të infektuarve ditorë, u është afruar niveleve rekord për shkak të variantit Delta.

Njoftimi i të hënës për heqjen e masave në Britani është konsideruar edhe si Dita e Lirisë.

Vendimi përcakton se në vend nuk do të ketë kufizime lidhur me numrin e personave që mund të takohen dhe të jenë pjesë e organizimeve, përfshirë klubet e natës, raporton oranews.

Java e vaksinimit masiv, të rinjtë të painteresuar, qytetarët preferojnë AstraZenekën

Po kështu vendosja e maskës do të rekomandohet në disa raste, por nuk do të kërkohet me ligj.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se të dielën  se tani është “momenti i duhur” për të jetësuar fazën finale të heqjes së masave.

“Nëse nuk bëjmë diçka të tillë tani, ne duhet ta pyesim veten se kur do ta bëjmë”, ka theksuar më tej Johnson.

Megjithatë ai bëri thirrje për kujdes dhe vetëpërmbajtje pas këtij vendimi, duke u kujtuar qytetarëve se virusi është ende mes nesh pasi numri i të infektuarve po rritet për shkak të variantit jashtëzakonisht ngjitës Delta.

Johnson ka thënë se pavarësisht rritjes së numrit të të infektuarve, tani është koha që ekonomia të rihapet, pasi gati 90 për qind e popullsisë së rritur ka marrë të paktën një dozë të vaksinës, ndërsa 68 për qind të dyja dozat.

Vendimi për heqjen e masave që ishin në fuqi për 17 muaj, janë hequr disa orë pasi kryeministri britanik, Boris Johnson dhe shefi i Thesarit, Rishi Sunak, njoftuan se do t’i nënshtrohen karantinimit 10-ditor  pasi kanë qenë në kontakt me Sekretarin britanik të Shëndetësisë, Sajid Javid më 16 korrik, i cili është infektuar me koronavirus, edhe pse ka marrë dy doza të vaksinës.

Mbretëria e Bashkuar ka raportuar ditët e fundit mbi 50,000 raste të infektimeve në ditë megjithatë qeveria ka thënë se vaksinat kanë imunizuar popullatën në një masë të konsiderueshme.


(Kosova Sot Online)