Erdogan për Kosovën: Bashkë me SHBA do rrisnim numrin e njohjeve

  • A.P /
  • 20 July 2021 - 16:51
Erdogan për Kosovën: Bashkë me SHBA do rrisnim numrin e njohjeve

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan është zotuar në një konferencë para gazetarëve se do të trajtojë me prioritet cështjen e Kosovës me Presidentin e SHBA, Joe Biden. Ai tha se do të propozonte punë të përbashkët për të rritur numrin e shteteve që të njohin shtetin e Kosoves.

Nga aeroporti rrugës për në Qipro, Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan ka bërë me dije se synon të diskutojë me Presidentin e SHBA-së Joe Biden për çështjen e njohjes ndërkombëtare për Kosovën dhe do të propozonte punë të përbashkët mbi këtë çështje për të rritur numrin e vendeve që e njohin atë.

Gjithashtu Presidenti Erdogan bëri thirrje se talebanët duhet "t'i japin fund pushtimit të tokës së vëllezërve të tyre" dhe paralajmëroi grupin militant se trupat turke qëndrojnë në Afganistan për të drejtuar aeroportin e Kabulit.

Talebanët sunduan Afganistanin me një grusht të hekurt nga viti 1996 deri në 2001 dhe kanë luftuar për 20 vjet për të rrëzuar qeverinë e mbështetur nga Perëndimi në Kabul dhe për të rivendosur sundimin islamik. Një kryengritje e re mund të rinis  tani për të fituar territor ndërsa forcat e huaja tërhiqen.

"Talabanët duhet t'i japin fund pushtimit të tokës së vëllezërve të tyre dhe t'i tregojnë botës se paqja po mbizotëron në Afganistan menjëherë," u tha Erdogan gazetarëve para se të nisej për një udhëtim në Qipron veriore.

Ai tha se qasja e talebanëve nuk ishte mënyra se si myslimanët duhet të merren me njëri-tjetrin.

Ankaraja, e cila është ofruar të drejtojë dhe ruajë aeroportin e Kabulit në kryeqytet pas tërheqjes së NATO-s, ka qenë në bisedime me Shtetet e Bashkuara për mbështetjen financiare, politike dhe logjistike për vendosjen.

Javën e kaluar Talebanët paralajmëruan Turqinë kundër atyre planeve për të mbajtur disa trupa në Afganistan për të drejtuar aeroportin, duke e quajtur strategjinë të dënueshme dhe duke paralajmëruar pasoja.


(Kosova Sot Online)