Pas detyrimeve për vaksinim, Macroni krahasohet me Hitlerin

  • G.G /
  • 21 July 2021 - 09:26
Pas detyrimeve për vaksinim, Macroni krahasohet me Hitlerin

Prokurorët në Francë kanë hapur hetime pas publikimit të një fotomontazhi në një rrugë, ku presidenti francez, Emmanuel Macron, shfaqet në uniformën dhe pamjen e liderit famëkeq nazist të Gjermanisë, Adolf Hitler.

Posteri, i cili qartazi është reagim ndaj politikës së qeverisë franceze për vaksinim për Covid-19, e shfaq presidentin francez me mustaqet e flokët e Hitlerit. Në poster shkruhet “Zbato, vaksinohu”, ndërsa shihet edhe stema e nazistëve, e modifikuar me inicialet e presidentit francez.

France Bleu, pjesë e mediumit publik, Radio France, raportoi se dy posterë të tillë janë shfaqur në ditët e fundit: njëri në qytetin bregdetar të Mesdheut, Toulon, dhe një tjetër në La Seyne-sur-Mer, shkruan Independent.

Ndryshe, Franca historikisht ka pasur nivel më të lartë të ngurrimit të popullsisë për t’u vaksinuar, por qeveria të hënën solli një projektligj që e bën të detyrueshëm vaksinimin për punëtorët e kujdesit shëndetësor, ndërsa ata që duan të shkojnë në restorante dhe vende të tjera duhet ta kenë pasaportën e Covid-it.

Sipas anketave, këto masa përkrahen nga shumica e francezëve, por te disa kanë shkaktuar zemërim. Dy qendra të vaksinimit u vandalizuan në pjesën jugperëndimore të Francës fundjavën e kaluar.

Të shtunën, mbi 100.000 njerëz marshuan në pjesë të ndryshme të Francës kundër rregullave të qeverisë për vaksinim.

(Kosova Sot Online)