Pas reagimeve të BE-së, Orbani vendos ta hedhë në referendum ligjin anti-LGBT

  • G.G /
  • 21 July 2021 - 15:28
Pas reagimeve të BE-së, Orbani vendos ta hedhë në referendum ligjin anti-LGBT

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, të mërkurën e vazhdoi luftën kulturore me Bashkimin Evropian duke njoftuar për mbajtjen e një referendumi për ligjin që i ndalon në shkolla materialet që shihen si promovim i homoseksualizmit dhe ndryshimit të gjinisë.

Komisioni Evropian javën e kaluar nisi masa ligjore kundër këtij legjislacioni. Nëse procedurat ligjore zbatohen deri në fund, Brukseli mund t’i pezullojë fondet për Hungarinë.

Kryeministri hungarez tha: “Në pyetje është e ardhmja e fëmijëve tanë, prandaj nuk mund të lëshojmë pe në këtë çështje. Në të kaluarën, Brukseli qartazi e ka sulmuar Hungarinë për ligjin e saj për mbrojtjen e fëmijëve. Ligjet hungareze nuk lejojnë propagandë seksuale në çerdhe, shkolla, televizione apo reklama.”

Ai nuk përmendi ndonjë datë për mbajtjen e referendumit rreth ligjit anti-LGBT, por tha se në fletën e shprehjes së qëndrimeve do të shtrohen pesë pyetje për qytetarët.

Komisioni Evropian nuk e komentoi menjëherë deklaratën e Orbanit. Sidoqoftë, në një samit të muajit të kaluar, udhëheqësit evropianë e kritikuan ashpër legjislacionin e ri hungarez, duke thënë se ai paraqet diskriminim kundër personave homoseksualë dhe transgjinorë, shkruan Reuters.

Orbani, i cili është në pushtet që nga viti 2010 dhe përballet me zgjedhje në pranverën e vitit të ardhshëm, e portretizon veten si mbrojtës të vlerave tradicionale të krishtera kundër liberalizmit perëndimor.

(Kosova Sot Online)