AAK pas pezullimit të marrëveshjes për tiketat ngjitëse: Prokuroria të bëjë hetime

  • A.P /
  • 22 July 2021 - 15:43
AAK pas pezullimit të marrëveshjes për tiketat ngjitëse: Prokuroria të bëjë hetime

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar pas pezullimit të marrëveshjes për tiketat ngjitëse, në vlerë prej 5 eurove.

Në reagimin e AAK-së thuhet se pezullimi i marrëveshjes është tregues se arroganca e numrave nuk kryen punë përballë reagimit të fortë opozitar dhe shoqërisë civile.

“Pezullimi i marrëveshjes për tiketa ngjitëse, me të cilën ngarkoheshin qytetarët që posedojnë automjete, jo në dobi të buxhetit por të një kompanie private, është tregues i qartë se arroganca e numrave nuk kryen punë përballë një reagimi të fortë opozitar dhe të shoqërisë civile”, thuhet në reagim.

Tutje, AKK e ka quajtur Qeverinë Kurti, “Qeveri e mashtrimit”, duke thënë se tentoi ta arsyetojë vendimin e dëmshëm, por nuk arriti të qëndrojë para presionit kundër padrejtësisë.

“Qeveria e mashtrimit, megjithëse mobilizoi sejmenët e saj për ta arsyetuar vendimin e dëmshëm, nuk arriti të qëndrojë para presionit të drejtë, kundër kësaj padrejtësie që dëshironte t’ia servonte qytetarëve të vendit”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Partia e Ramush Haradinajt thotë se Prokuroria duhet ta hetojë këtë marrëveshje, të cilën e quan të dëmshme.

“AAK dhe kryetari Haradinaj, kanë qenë shumë të zëshëm për këtë vendim por edhe për shumë vendime të tjera të padrejta të kësaj qeverie. Dështimet e qeverisë shihen gjithandej e zhgënjimi është në rritje. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konsideron që edhe pse taksa është anuluar, Prokuroria duhet të bëjë hetimet për këtë marrëveshje të dëmshme, ku një kompanie me 3 punëtorë u tentua t’i jepeshin miliona euro nga xhepat e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagimin e AAK-së.


(Kosova Sot Online)