“Nuk luajmë nga këtu” – pushuesit qëndrojnë në plazhin e Vlorës edhe pas të shtënave me armë

  • A.P /
  • 22 July 2021 - 19:57
“Nuk luajmë nga këtu” – pushuesit qëndrojnë në plazhin e Vlorës edhe pas të shtënave me armë

Pavarësisht të shtënave me armë që u regjistruan mesditën e sotme në plazhin e Zvërnecit në Vlorë, pushuesit kanë zgjedhur që të mos largohen nga bregdeti, ndërsa ka prej tyre që e konsiderojnë normale atë që ka ndodhur.

 “Ne ishim duke u larë në thellësi, dëgjuam krisma armësh, kur erdhëm këtu nuk pamë asgjë. Na shqetësoi, si nuk na shqetësoi, shkuam për të parë mos na kishin goditur makinat. Nga plazhi nuk luajmë ne, vetëm po na qëlluan ne me armë”.

“Policia u sos për 3-4 minuta, ne dolëm menjëherë nga deti, shteti është në rregull, ne ndihemi shumë të sigurt, kjo mund të ndodhë në çdo vend të botës. S’ka pse të bëhet e madhe”.

“Dëgjuam të shtënat, ishim në det, kur dolëm pamë ata që bridhnin vërdallë. E frikshme është o ti, po qëndruam këtu”.

Detaje të reja janë zbuluar nga të shtënat me armë në plazhin e Zvërnecit, të shënuara në Vlorë paraditen e sotme.

Gazetarja Afrovita Hysaj raporton nga vendngjarja se ka qenë pronari i një plazhi privat, shtetasi Luço Rroko, 42-vjeç, ai i cili ka qëlluar në ajër pas një konflikti me disa persona të tjerë.


(Kosova Sot Online)