Shkarkohet bordi i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, vjen reagimi i tyre

  • A.P /
  • 22 July 2021 - 20:04
Shkarkohet bordi i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, vjen reagimi i tyre

Ish-bordi i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave-ARH, ka reaguar pas shkarkimit të tyre dje në Kuvendin e Kosovës.

Në një reagim të tyre thuhet se shkarkimi i tyre është antiligjor dhe i mbingarkuar me shpifje e trillime.

Ata e cilësojnë këtë si sulm edhe ndaj vet institucionit të ARH-së.

“Vendimi i tillë, cenon pavarësinë e institucionit dhe krijon një pasiguri juridike në vazhdimin e funksionimit të ARH-së. Aq më shumë, kur tanimë kemi një vakum institucional në ketë institucion të pavarur pasi që, nga muaji gusht, ARH mbetët pa titullar dhe procedurat për zgjedhjen e titullarëve të ri, marrin kohë.  Arsyetimi për shkarkimin e Bordit të ARH-së, nga ana e disa deputetëve të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë të Kuvendit të Kosovës nuk ka asnjë argument faktik e as ligjor”, thuhet në reagimin e tyre.

Reagimi i tyre i plotë pa ndërhyrje:

Kuvendi i Kosovës, dje me datën 21.07.2021, mori vendim për shkarkimin e Bordit të ARH-së, në një proces krejtësisht të paqartë, antiligjor dhe të mbingarkuar me shpifje e trillime. I njëjti është sulm edhe ndaj vet institucionit të pavarur të ARH-së.  

Vendimi i tillë, cenon pavarësinë e institucionit dhe krijon një pasiguri juridike në vazhdimin e funksionimit të ARH-së. Aq më shumë, kur tanimë kemi një vakum institucional në ketë institucion të pavarur pasi që, nga muaji gusht, ARH mbetët pa titullar dhe procedurat për zgjedhjen e titullarëve të ri, marrin kohë.  

Arsyetimi për shkarkimin e Bordit të ARH-së, nga ana e disa deputetëve të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë të Kuvendit të Kosovës nuk ka asnjë argument faktik e as ligjor. Përdorimi i informatave të prezantuara nga ky komision kanë qenë të sponsorizuara nga nivelet shumë të ulëta, ku nga prezantimi i tyre është vërejtur se edhe vetë deputetet kanë rënë pre e lajthitjeve të tilla dhe si të tilla kanë dalë tërësisht tendencioze e aspak të vërteta. Këtë do ta dëshmojmë, në adresimin tonë për organet e drejtësisë.  

Arsyeja reale, e parë dhe e fundit, është tendenca për të instaluar ndikimin dhe kontrollin në këtë institucioni në tërësi nga pushteti aktual, sepse në fund të muajit korrik, të këtij viti i skadon kontrata Kryeshefit Ekzekutiv dhe në bazë të ligjit, ky Bord ka mundur të bëj vazhdimin e kontratës për Kryeshefin e tanishëm ose të zhvillojë procedurat sipas ligjit për zgjedhjen e Kryeshefit të ri. E po ashtu, edhe vet ky Bord, nuk ka pasur mandat më shumë se edhe 3 muaj e 1 javë. 

Është interesant se si në pikat e shkarkimit, arsyetimi bazë i dhënë është një rekomandim i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), e që në të vërtetë ai rekomandim është i një institucioni krejtësisht tjetër, mirëpo adresimi i këtij rekomandimi përdoret për shkarkimin e ARH-së. Ky është një dezinformim që i është bërë deputetëve dhe opinionit publik. Kjo është lehtë e faktuar. 

Përkundrazi, në vitin 2016, kur Bordi aktual ka marrë detyrën, ZKA, ka dhënë 6 rekomandime për të gjeturat/shkeljet e evidentuara. Ndërsa më punën profesionale dhe performancën e mirë të këtij Bordi, në vitet 2018, 2019 dhe 2020, ZKA nuk ka gjetur asnjë shkelje dhe nuk ka dhënë asnjë rekomandim. 

Ky fakt ARH-në e bën institucionin e vetëm në vend të këtij niveli, që ka performancë të shkëlqyer, e cila është vlerësuar edhe nga ZKA. Rrjedhimisht, edhe gjitha shpenzimet e bëra janë proceduar konform Ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi, gjë që është dëshmuar ndër vite. 

Arsyetimet tjera, tregojnë për injorancën e disa deputetëve në Komisionin funksional, ku akuzohemi për të drejta dhe përgjegjësi të institucioneve tjera (Ministria e Infrastrukturës, Ndërmarrja Publike “Trainkos”, Ndërmarrja Publike “Infrakos”, Ministria e Ekonomisë, etj), e për të cilat ARH nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore.  

Bordi i ARH-së do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim arbitrar dhe shpifjet e prezantuara. 

I bëjmë thirrje gjithë mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë të cilët merren më mbikëqyrjen e sundimit të ligjit por edhe ato që merren me punën e sektorit hekurudhor, që të reagojnë ndaj këtij vendimi arbitrar dhe jo ligjor dhe të parandalojnë degradimin e këtij institucioni, rrjedhimisht edhe gjithë sektorit.

(Kosova Sot Online)