Pas lëvizjes së pozicionit grek për Kosovën, Serbia në ankth i afrohet Spanjës

  • E.K /
  • 23 July 2021 - 11:08
 Pas lëvizjes së pozicionit grek për Kosovën, Serbia në ankth i afrohet Spanjës

Sinjalet pozitive të dhëna nga Greqia e të cilat mund të çojnë në njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës kanë alarmuar shtetin serb. Kjo ka bërë që Beogradi të intensifikojë kontaktet me shtetet brenda BE-së që vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës.   

Ministri i brendshëm serb, Aleksander Vulin, në një takim që ka pasur me homologun e tij  spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, e ka falënderuar atë për pozicionin që mbanë Spanja karshi Republikës së Kosovës.

“Qëndrimi i Spanjës është shumë i rëndësishëm për ne”, ka thënë Vulin, shkruan Elnacional.cat.

 “Spanja dhe Serbia janë dy vende larg njëra-tjetrës në shumë aspekte, por në një fushë jemi të njëjtë, dhe e dimë të keqen e ndarjes dhe e dimë se vetëm duke respektuar të drejtën ndërkombëtare mund të garantohet paqe e qëndrueshme”, ka shtuar tutje ministri serb, duke tentuar t’ia kujtojë çështjen e Katalonisë.

Muajt e fundit kemi parë lëvizje të pozicionit të Greqisë karshi Kosovës. Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka deklaruar se shumë shpejtë do të ketë lajme të mira nga Athina.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksander Vucic, i cili ka thënë se i lutet Zotit që një gjë e tillë të mos ndodh

(Kosova Sot Online)