Avokati Kehoe lë të kuptohet se ka shtete që kanë ofruar garanci për lirimin e Thaçit

  • E.K /
  • 23 July 2021 - 11:30
 Avokati Kehoe lë të kuptohet se ka shtete që kanë ofruar garanci për lirimin e Thaçit

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe i është përgjigjur Prokurorisë Speciale lidhur me rishikimin e paraburgimit për Thaçin. Kehoe në përgjigjen e tij thotë se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë spekulime fyese dhe të pabaza ndaj një shteti kontribuues për Dhomat e Specializuara që është i gatshëm të garantojë lirimin e Thaçit.

Avokati amerikan, Kehoe tutje ka thënë se pozicioni i Zyrës së Prokurorit të Specializuar e paragjykon sjelljen e shteteve anëtare të NATO-s që mund të jenë garantuese për lirimin e Thaçit.

“GARANTUESIT SHTETËRORË SI PALË E TRETË  Përderisa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka të drejtë që “shtetet e treta nuk e kanë detyrimin e njëjtë për të bashkëpunuar me Dhomat e Specializuara të Kosovës si Kosova”,  këto Shtete të Treta janë duke thënë se ato do ta bëjnë këtë. Pozicioni i Zyrës së Prokurorit të Specializuar se lirimi do ta “komprometojë në mënyrë thelbësore” zbatimin e kushteve të Dhomave Specializuara të Kosovës, e paragjykon sjelljen e këtyre shteteve anëtare të NATO-s, duke supozuar se ato në mënyrë të njëanshme do t’i shkelin apo ndryshojnë traktatet ekzistuese ndërkombëtare ose marrëveshjet “ad hoc” me Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ky është spekulim i pabazë dhe fyes, sidomos në lidhje me një shtet kontribuues.”, thuhet në përgjigjen e Kehoe në versionin publik të redaktuar të publikuar në uebfaqene e Dhomave të Specializuara.

Sipas avokatit Kehoe nuk është e mundur që Dhomat e Specializuara të pranojë kontributet financiare të atij shteti e më pastaj të refuzojnë vullnetin e po atij shteti për t’i zbatuar urdhërat gjyqësorë.

“Nuk ka mundësi që Dhomat e Specializuara të Kosovës të kenë vullnet që t’i pranojnë kontributet financiare të (emri i shtetit i redaktuar) në buxhetin e vet operues, por pastaj t’i refuzojnë deklaratat e këtij vendi për vullnet që t’i zbatojë urdhrat gjyqësorë. As Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk mund të argumentojë se lirimi i përkohshëm duhet të mohohet për shkak se garantuesit nuk janë të detajuar mjaftueshëm. Regjimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës i kërkon gjykatësit të procedurës paraprake që “ta dëgjojë Shtetin e Tretë, në të cilin personi i ndaluar kërkon të lirohet”. Garantuesve si palë të treta u kërkohet që të mos bëjnë asgjë më shumë në këtë fazë sesa të shfaqin një vullnet për ta pranuar të akuzuarin e liruar përkohësisht dhe ta marrin përsipër bashkëpunimin. Kushtet e mëtejshme mund të diskutohen dhe të arrihet marrëveshje për to gjatë konsultimeve”, thuhet tutje në përgjigjen e mbrojtjes së Thaçit.

(Kosova Sot Online)