Osmani reagon për aksidentin tragjik në Kroaci: Shteti do të jetë në krahë të familjeve të viktimave dhe të lënduarve

  • A.P /
  • 25 korrik 2021 - 11:05
Osmani reagon për aksidentin tragjik në Kroaci: Shteti do të jetë në krahë të familjeve të viktimave dhe të lënduarve

Të paktën 10 persona raportohet të kenë vdekur si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e së dielës në Kroaci.

Pas aksidentit ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo përmes një shkrimi në rrjetin e saj social Facebook ka thënë se nga Ambasada e Kosovës në Zagreb dhe autoritetet kroate, është njoftuar për aksidentin fatal.

Ajo ka shkruar se shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që kanë vdekur sikurse edhe të të lënduarve.

Shkrimi i saj i plotë:

Lajm tragjik e i rëndë sot për vendin tonë.

Nga kontakti me Ambasadën e Kosovës në Zagreb dhe me autoritetet kroate, jam njoftuar se nga një aksident komunikacioni që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë, kanë humbur jetën tragjikisht dhjetë udhëtarë e shumë të tjerë janë lënduar.

Me zemër e me shpirt sot jemi me familjet që humbën më të dashurit në këtë tragjedi. Dhimbja është e papërshkrueshme e humbja shumë e madhe. Ngushëllime të sinqerta për të gjithë!

Shteti i Kosovës do të jetë në krah të familjeve të atyre që humbën jetën, sikurse edhe të të lënduarve, të cilëve ju dëshiroj shërim të shpejtë.

Veprimet tona shtetërore do të jenë në funksion të lehtësimit të dhimbjes së familjeve që humbën më të dashurit e tyre, ndaj zyrtarë të institucioneve të Kosovës tashmë janë nisur për në Kroaci për t`u dalë në ndihmë qytetarëve tanë të përfshirë në këtë aksident tragjik.


(Kosova Sot Online)