18-vjeçarja që kërkohej në spital nga familjarët është në mesin e viktimave të aksidentit në Kroaci

  • G.G /
  • 25 July 2021 - 22:46
18-vjeçarja që kërkohej në spital nga familjarët është në mesin e viktimave të aksidentit në Kroaci

Dhjetë persona kanë humbur jetën dhe 44 të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:00, në Slavonski Brod, në Kroaci, në të cilin ka qenë i përfshirë një autobus nga Kosova.

Në mesin e tyre është edhe Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe.

Familjarët e saj që nga mëngjesi nuk dinin gjë për fatin e saj. Madje ata gjatë ditës së sotme kanë shkuar në Kroaci për të kërkuar informacione për të.

Djali i axhës së saj, Burim Bellanica, gjatë ditës së sotme kishte deklaruar se ajo nuk gjendej askund.

“Zyrtarisht nuk kemi ndonjë informacion. Vëllau është nisë prej Austrisë edhe ka mbërri aty në spital, kur ka pytë kanë thanë që nuk kemi pacient me këtë emër. Është nisë edhe daja i saj prej Kosovës, ka mbërri mirëpo nuk po e lajnë me hy mrenda. Kemi thirrë në spitalin e Zagrebit, mirëpo ajo paciente është prej Gjakovës, nuk është Anjeza.”, ka thënë ai në RTK.

Lajmin për vdekjen e saj e ka dhënë kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

“Kujtim Kastrati nga Malësia e Vogël dhe Anjeza Bellanica nga Krusha e Madhe, janë dy viktimat e konfirmuara nga komuna e Rahovecit, për të cilët lumturia e ardhjes në atdhe u kthye në një hidhërim për gjithë të afërmit, të njohurit, dhe të gjithë ne”, ka shkruar ai në Facebook.

(Kosova Sot Online)