Në nderim të viktimave në Kroaci, shtyhet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

  • E.K /
  • 26 korrik 2021 - 12:32
 Në nderim të viktimave në Kroaci, shtyhet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

Në nderim të viktimave në Kroaci dhe shpalljes ditë zie, me kërkesë të kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, është shtyrë mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e paraparë për sot.

Nga Kuvendi i Kosovës bëhet e ditur se mbledhja mbahet nesër në orën, 15:00.​   

Kujtojmë që në këtë aksident trafiku, 10 persona vdiqën, 15 persona u lënduan rëndë, ndërsa 30 më lehtë. Të lënduarit u transportuan në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po mbahen për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërgitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave ishte dje në Kroaci, ndërsa ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli kishte qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po marrin trajtim mbi 40 persona.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë para aksidentit kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

(Kosova Sot Online)