Drejtori i “Deva Tours” shkruan për shoferin që vdiq në aksident: Do të na mungosh gjithmonë

  • E.K /
  • 26 July 2021 - 15:20
 Drejtori i “Deva Tours” shkruan për shoferin që vdiq në aksident: Do të na mungosh gjithmonë

Arianit Avdija nga “Deva Tours” ka shkruar për Naser Sylmetajn, shoferin e autobusit që vdiq dje në aksidentin tragjik që ua mori jetën edhe nëntë udhëtarëve që po vinin nga Frankfurti në Kosovë.

Avdija, i cili në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë figuron si drejtor i kësaj kompanie, shkroi se Naser Sylmetar ishte burrë i fortë dhe punëtor i madh. Ai e cilësoi atë si njeri të veçantë, ndërsa i ka shprehur ngushëllime familjes së tij.

“Naser, ishe nje burre i forte, nje punetor i madh dhe shok i mire. Na ke lane me pikellim te madh te gjitheve e do tna mungosh gjithmone. Ishalla ne xhehnet dhe familjes jau lehtesofte zoti dhimbjen. Ti ishe njeri i veqante dhe kujtimi per ty do te jete i paharrueshem!”, shkroi Arianit Avdija në Facebook.

Adhurim Sylmetaj (i biri i Naser Sylmetajt), shoferit të autobusit i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident në Kroaci, ka thënë dje se babai i tij ka rreth tetë muaj që ka filluar punën në këtë kompani. Ai ka treguar se shoferët pushonin vetëm atë mbrëmje që kanë mbërri dhe në mëngjesë sërish janë nisur për në Kosovë.

“Janë nisur para 3-4 ditëve, edhe në momentin që kanë mbërri, menjëherë, veç atë mbrëmje kanë pushuar, dhe menjëherë të nesërmen në mëngjes rreth orës 09:00 janë nisur për në Kosovë”, ka thënë Sylmetaj për REL.

“Herën e fundit kur kam folur me të ka qenë në momentin kur e kaluar kufirin Gjermani-Austri”, ka shtuar ai.

Shoferi tjetër i cili po e ngiste autobusin që shkaktoi aksidentin tragjik në Kroaci, është arrestuar dje, ndërsa sot është parë i prangosur dhe i shoqëruar nga Policia duke shkuar në Prokurori.

Ai do të merret në pyetje në Zyrën e Prokurorit të Shtetit, derisa, pas këtij intervistimi, Zyra e Avokatit të Shtetit do të marrë një vendim për rrjedhën e mëtejshme të procedurave.

Çfarë është vërtetuar deri më tani nga inspektimi?

Policia kroate tha dje se në orën 6:19 të mëngjesit të së dielës pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.

“Gjatë hetimit, në prani të avokatit të shtetit, policia përcaktoi se aksidenti i trafikut ndodhi në atë mënyrë që një shtetas 52-vjeçar i Kosovës po voziste një autobus me dokumente dhe targa regjistrimi të Kosovës në korsinë jugore e A3 Bregana-Arruga nga perëndimi në lindje. Duke arritur në kilometrin e 211 të autostradës, shoferi nuk lëvizi në mes të korsisë së shënuar, por drejtoi automjetin në zonën me bar, dhe më pas autobusi u përmbys në anën e tij. Anëtarët e brigadave të zjarrfikësve dhe ekipet tjera emergjente ndërhynë në vendin e ngjarjes për t’i marrë trupat e të aksidentuarve”, thuhet në deklaratë.

Në këtë aksident trafiku, 10 persona vdiqën, 15 persona u lënduan rëndë, ndërsa 30 më lehtë. Të lënduarit u transportuan në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po mbahen për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave ishte dje në Kroaci, ndërsa ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli kishte qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po marrin trajtim mbi 40 persona.

Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë para aksidentit kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër. Supozohet se aksidenti është shkaktuar nga lodhja e shoferit.

Njëri nga shoferët i cili nuk po voziste në momentin tragjik, ka vdekur.

Shoferi i cili po voziste në momentin e rastit tragjik, e pranoi dje në Prokurori se për një moment e kishte zënë gjumi, dhe më pas autobusi kishte lëvizur fatalisht jashtë autostradës.

(Kosova Sot Online)