E kaluara e errët e shoferit që shkaktoi aksidentin e tmerrshëm në Kroaci

  • G.G /
  • 26 July 2021 - 16:37
E kaluara e errët e shoferit që shkaktoi aksidentin e tmerrshëm në Kroaci

Shoferi i autobusit të kompanisë ‘Deva Tours’ që dyshohet shkaktoi dje aksidentin tragjik në Kroaci, D.L. është dërguar sot në Prokurori i shoqëruar nga policia

D.L. preferoi të mbrohej në heshtje për incidentin e djeshëm, para zëvendësprokurorit të Qarkut, duke mos u përgjigjur në asnjë pyetje.

Pas kësaj, ai u urdhërua të paraqitet nesër para Gjykatës në Slavonski Brod në ora 9 të mëngjesit, ku do të vendosen masat e ardhshme për mbajtje apo mbrojtje në liri.

Kjo nuk është hera e parë që D.L arrestohet nga Policia. I njëjti ishte arrestuar në vitin 2017, nga Policia Kufitare e Shqipërisë dhe ajo e Shkodrës në bashkëpunim, ku ishin sekuestruar 20 kg kanabis.

D.L. ishte arrestuar së bashku me dy persona të tjerë, E.B dhe E.M në autobusin e linjës Kosovë–Gjermani me targë 07 183 CE.

Policia u kishte kërkuar udhëtarëve të zbresin dhe të marrin bagazhet por në fund ishte konstatuar se dy çantat me kanabis, ishin “pa pronar”.

Kujtojmë që në aksidentin e ditës së djeshme në Kroaci, 10 persona mbetën të vdekur ndërkohë 40 të tjerë u lënduan.

(Kosova Sot Online)